RTSH 24 Live

Politikë

Kryemadhi me banorët e 'Ali Demit': Shqipëria sot s'ka nevojë për fjalë të bukura

13/01/2021

Kryemadhi me banorët e 'Ali Demit': Shqipëria sot s'ka nevojë për fjalë të bukura

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorët në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku thekson se një nga problemet që shtohet më shumë sipas saj te të rinjtë është mungesa e punësimit, mungesa e mundësive për të zhvilluar biznesin, ekonominë. Sipas saj, "vendi ka nevojë për ide dhe jo për fjalë të bukura e fasadë". 

“Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë të bukura, propagandë dhe fasadë, sot Shqipëria ka nevojë për realitet, për njerëz që janë jo vetëm vendimmarrës, por kanë edhe ide për t’i realizuar. Rrugës kur vija, po thoja që i vinte shumë keq lali Erit për LSI-në, por gjithë këtë merak që kanë për LSI-në ta kenë për qytetarët e Tiranës. Sepse sot qytetarët e Tiranës vuajnë çdo ditë e më shumë trafikun e rënduar. Ishim në mëngjes në njësinë numër 10, ku një nga problemet kryesore ishte parkimi, që ishte i pamundur. Ata thanë që shkojnë me orë të tëra larg në mëngjes, për shkak të punëve jashtë Tiranës, pastaj i duheshin orë të tëra për t’u kthyer, por sfilitja më e madhe është në orët e darkës kur i duhej të ktheheshin në shtëpi, është që i rrotulloheshin lagjes vërdallë për të gjetur një parkim për makinat. Ajo që diskutonim ishte që shumicën e parasë së karburantit dhe naftës më shumë e harxhojmë në kërkim për parkim dhe në trafik sesa rrugën për të ikur në punë”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi u shpreh se në Tiranë mungojnë po ashtu shkollat e çerdhet.

“Ashtu sikurse në anën tjetër shikon në të gjitha lagjet e Tiranës mungesën e shkollave dhe çerdheve, nuk është më problem të shikojmë kush është shkaktari i saj, por e rëndësishme është të gjejmë cilat janë hapësirat tona, mendësitë dhe politikat tona për të pasur një numër sa më të vogël fëmijësh në çerdhe dhe në kopshte, në mënyrë të tillë që edhe kujdesi i edukatoreve dhe i mësuesve të jetë më i madh ndaj tyre.  Ashtu sikurse dhe në anën tjetër, ju e dini vetë, problematikat që ka jo vetëm njësia 1, por edhe në familje, mungesa e punës, mungesa e shumë gjërave të tjera. Ne jemi akoma në diskutim për programin”, u shpreh Kryemadhi.