RTSH 24 Live

Aktualitet

Kryehetuesi i Rusisë merr në dorë çështjen, misteret e vdekjes në Qerret të 4 turistëve

19/10/2021

Kryehetuesi i Rusisë merr në dorë çështjen, misteret e vdekjes në Qerret të 4 turistëve

Hetimin e vdekjes misterioze të 4 turistëve në Shqipëri e ka marrë në dorë kryehetuesi i Rusisë. Teksa prokuroria e Kavajës po e heton ngjarjen për vrasje, Alexandar Bastrykin, kreu i Komitetit hetues, ka udhëzuar institucionet atje për të marrë informacion nga autoritetet shqiptare.

Sergey Burenkov 60 vjeç, bashkëshortja 58-vjeçare Natalya, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeç dhe partneri i saj, Nikita Beluosov 37 vjeç, nuk ishin një familje e zakonshme, madje konsiderohen nga më të pasurat në Rusi. Në Shqipëri u gjenden pas një turi në të gjithë botën, në vendet me të synuara nga turistët, çka e kanë ilustruar me shkrepjen e fotove dhe reklamimin e tyre në rrjetet sociale.

Në hotelin “Gloria” në Qerret, familjarët erdhën nga Ohri, dhe dita e parë e tyre në vendin tonë, më 15 tetor, u kthye në tragjedi. Kishin revervuar dhe kishin kërkuar t’i bënin gati pishinën dimorore, që stafi i hotelit e hapi brenda ditës duke përdorur klor për ujin e pishinës. Ishte po stafi që i gjeti të gjithë të pajetë, një me këmbët në ujë, dy prej tyre në shezlong dhe tjetrin mes pishinës dhe saunës, pa mundur të konsumojnë as ushqimin dhe pijet që kishin porositur.

I vetmi i mbijetuar nga familja është Aleksandri, përfaqësues i një kompanie medicinale, i cili në Shqipëri vjen për të tërhequr trupat e pajetë të njerëzve të zemrës. Vajza, Ekaterina, ishte menaxhere pronash në një agjenci imobiliare, ndërsa mediat ruse pak detaje japin për kryefamiljarin, i cili nga disa media shqiptare u përfol të ishte ish-gjeneral, ndërsa për bashkëshorten e tij thuhet se ishte mësuese.

Vetë  Alexander Bastrykin kreu i Komitetit Hetues të Rusisë, që është ekuivalente si KLP në Tiranë ka udhëzuar Departamentin Kryesor të Hetimit dhe Mjekësinë Ligjore atje për të marrë informacion nga autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe të raportojë për të gjitha rrethanat e vdekjes tragjike të shtetasve rusë.