RTSH 24 Live

Kosova

Kryebashkiaku i ri i New Yorkut zotohet se do të rikthejë besimin midis policisë dhe qytetarëve

19/11/2021

Kryebashkiaku i ri i New Yorkut zotohet se do të rikthejë besimin midis policisë dhe qytetarëve

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së New Yorkut, Eric Adams tha se është e domosdoshme të rikthehet besimi midis oficerëve të policisë dhe qytetarëve, i cili sipas tij është thyer prej vitesh.

“E vetmja mënyrë për ta rikthyer këtë është të jemi të sinqertë me të”. Kjo është intervista e parë me mediat ndërkombëtare pas fitores së tij në zgjedhje.

Adams shërbeu në Departamentin e Policisë së New Yorkut për 22 vjet. Si ish-kapiten policie, kryebashkiaku i zgjedhur tha se e di se çfarë është të veshësh uniformë policie dhe të veshësh jelek antiplumb dhe të mbrosh fëmijët dhe familjet.

Në fjalën e tij, kryetari i zgjedhur tha se prioriteti i tij është të punojë me oficerët e policisë për sigurinë publike në të gjithë qytetin.

"Si e para, unë do të kem përkrahjen e oficerëve të mi të policisë. Unë do t'u jap atyre mbështetjen që ta bëjnë punën e tyre dhe do t'i lejoj ata të zbatojnë aspekte të sigurisë publike për të mbajtur në nivel sigurinë e qytetit tonë", tha Adams.

Ai do t'i porosisë punonjësit e policisë që "të kryejnë rolin e zbatimit të ligjit me fisnikërinë që meriton".

Adams tha gjithashtu se do të merrte masa kundër oficerëve "abuzues" të policisë.

Gjatë fushatës së tij në maj për garën për kryetar bashkie, kryebashkiaku i zgjedhur u zotua se do të largonte oficerët "abuzues" të policisë brenda tre muajve pas ndonjë incidenti nëse bëhet kryetar bashkie.

"Nuk mund të lejojmë oficerët që janë tepër abuzues të qëndrojnë në Departamentin e policisë. Ata do të largohen dhe ne do të kemi një departament që do të jetë më i miri, sepse besoj se është më i miri", tha ai për AA.

Adams, nga radhët e demokratëve, fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit të New Yorkut më 2 nëntor ndërsa 61-vjeçari do të marrë detyrën më 1 janar.

Rimëkëmbja pas COVID-19

Duke iu përgjigjur një pyetjeje se si do të ringjallet qyteti në një epokë pas pandemisë, kryebashkiaku i ri përshkroi tri synime për një rikuperim "të shëndetshëm".

"COVID-19 shkatërroi institucionet tona financiare", tha Adams, duke rikujtuar se shumë njerëz janë ende pa punë dhe shumë biznese të vogla janë mbyllur.

Ai tha se qyteti i New Yorkut do të tregojë elasticitet ndërsa do të kthehet në normalitet. “Ne duam që njerëzit të marrin pjesë në procesin e vaksinimit dhe të vaksinohen. Virusi është një armik i fuqishëm dhe vaksina është një kundërpeshë e fortë ndaj këtij armiku”, tha kryebashkiaku i zgjedhur.

"Së dyti, ne duhet t'i kthejmë punonjësit në hapësirat e zyrave. Dhe së fundmi ne duhet të jemi të sigurt. Parakusht për prosperitetin e qytetit tonë është siguria publike", tha Adams.

"Pra, ne duam të sigurohemi që qyteti të vazhdojë të jetë një qytet i sigurt në mënyrë që njerëzit këtu të rrisin fëmijë dhe familje të shëndetshme", shtoi ai.

Qyteti i New Yorkut dikur ishte epiqendra e pandemisë dhe tani qyteti po rihapet. Aktualisht, ka 1.1 milion raste të raportuara dhe është një rrezik shumë i lartë për njerëzit e pavaksinuar, sipas "New York Times".

'Mik i popullit turk'

Kryebashkiaku i zgjedhur foli edhe për komunitetin turko-amerikan në qytet, duke i quajtur ata "kontribuues të mëdhenj në ekonominë tonë".

"Jam një mik i popullit turk këtu dhe jashtë vendit. Kam një popullsi të madhe turke që jeton në Brooklyn, ndoshta një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë", tha Adams.

"Ne do të bashkojmë delegacione që do të përfshijnë drejtues biznesi për të parë se si të bëjmë biznes këtu në New York dhe si mund të bëjmë biznes në Turqi", shtoi ai.

Për sa i përket marrëdhënieve ndërkulturore, kryebashkiaku i zgjedhur tha se do t'u kërkojë të rinjve amerikanë të vizitojnë vende si Stambolli dhe Kapadokia dhe vende të tjera në Turqi "pasi ne sjellim studentë të rinj turq këtu në New York për të shijuar edhe kulturën e pasur këtu".

Adams ka qenë në Turqi gjashtë herë dhe tha se mezi pret të udhëtojë më shumë.

Ai tha se populli turk "ka pasur një aftësi të shkëlqyer për të ruajtur historinë, si dhe një qytet jashtëzakonisht modern".

"Ky kombinim ju shtynë të kuptoni se si Turqia ka luajtur një rol të madh në formësimin e njerëzimit dhe vazhdon ta bëjë këtë në formësimin e së ardhmes", shtoi ai./AA