RTSH 24 Live

Aktualitet

Kryebashkiaku i Bulqizës lihet në burg për abuzim me tenderin, Lefter Alla i quan akuzat me prapavijë politike

18/03/2023

Kryebashkiaku i Bulqizës lihet në burg për abuzim me tenderin, Lefter Alla i quan akuzat me prapavijë politike

Akuza me prapavijë politike i ka cilësuar kreu i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla artikulimet nga Prokuroria e Posaçme që e akuzon se ka kryer shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Lefter Alla bashkë me 12 nëpunës të bashkisë që drejton si dhe biznesmenë doli sot(18 mars) para togave të GJKKO ku u njoh me masën “arrest me burg” dhënë nga gjyqtari Erjon Çela.

Në sallën e gjyqit, kryebashkiaku socialist pretendoi se nuk ka kryer shkelje të ligjit ,dhe sipas tij më e udhës të ishte t’i kërkoje të ikte sesa t’i bëhej bëhet një gjyq politik. Avokati i tij mbrojtës ftoi organin e akuzës të kryejë hetime të thelluara.

Akuzat janë kundërshtuar dhe nga të arrestuarit e tjerë.

Lefter Alla së bashku me nënkryetaren e bashkisë Enkeleda Lleshi dhe 11 persona të tjerë u arrestuan në përfundim të hetimeve për më shumë se 10 muaj të prokurorisë së Posaçme, lidhur me procedurat e ndjekura në dhënien e tenderit me vlerë 323 milionë lekë për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetin e ujërave të zeza në lagjen e vjetër të Bulqizës.

Sipas SPAK, tenderi me dokumente iu dha konsorciumit të dy biznesve Egland shpk dhe BE-IS shpk me qëllim që më pas punimet të realizoheshin nga kompania OE 2AF Albania në administrim të Aqif Kokoneshës, me lidhje miqësore me kryetarin e Bashkisë Bulqizë.

Gjykata e Posaçme vlerësoi të ligjshëm masën e arresti edhe për nënkryetarën Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arseb Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci,  Dalo Gazidedja, Aqif Konesha. Në “arrest shtëpie” u lanë Kastriot Ibrahimaj dhe Ana Nishku.

/rtsh/