RTSH 24 Live

Botë

Kriza në Ukrainë, Von der Leyen paralajmëron Rusinë: Mund të ketë sanksione

28/01/2022

Kriza në Ukrainë, Von der Leyen paralajmëron Rusinë: Mund të ketë sanksione

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se “asgjë nuk është jashtë tryezës” për sa u përket sanksioneve dhe se tubacioni i gazit “Nord Strem 2” mund të ndalet nëse Rusia sulmon Ukrainën, tha von der Leyen në një intervistë ekskluzive për CNN.

Tubacioni i gazit natyror “Nord Strem 2” kalon nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani, duke kaluar anash Ukrainës.

Duke kujtuar se Komisioni Evropian është përgjegjës për hartimin, formësimin dhe zhvillimin e sanksioneve në fushën e teknologjisë, ekonomisë dhe financave, von der Leyen tha: “Ne jemi shumë të qartë se nëse ka ndonjë agresion të mëtejshëm ose agresion ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda për Rusinë”.

Duke theksuar se Bashkimi Evropian (BE) është partneri më i madh tregtar dhe investitori më i madh i huaj për Rusinë, von der Leyen deklaroi: “Pra, këto shifra ju tregojnë se ne kemi një levë të fortë dhe do të ishte shumë e dhimbshme për Rusinë në rast se rrisin këtë agresion kundër Ukrainës”.

Së fundmi, Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit ish-sovjetik.

Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim dhe ka thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje.

Sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të Ukrainës

Blloku evropian ka vendosur sanksione ndaj sektorëve financiarë, ushtarakë dhe energjetikë të Rusisë që nga viti 2014, duke akuzuar Moskën për aktivitete destabilizuese në Ukrainë.

Në bazë të kufizimeve, disa banka dhe kompani ruse kanë qasje të kufizuar në tregjet e kapitalit të bllokut, ndërsa operatorëve të BE-së u ndalohet të ofrojnë shërbime për institucionet financiare ruse.

BE-ja po ashtu kufizon tregtinë me mallra të lidhura me mbrojtjen dhe teknologjitë e ndjeshme që mund të përdoren në sektorin energjetik të Rusisë.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë separatistët në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë të cilët ajo e ka vazhduar që atëherë.

BE-ja në mënyrë të përsëritur e ka dënuar ngritjen e vazhdueshme ushtarake ruse brenda dhe rreth Ukrainës në muajt e fundit dhe ka qëndruar në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.