RTSH 24 Live

Politikë

Kriza energjitike, Meta: Qeveria po e kalon barrën e dështimeve tek qytetarët

28/09/2022

Kriza energjitike, Meta: Qeveria po e kalon barrën e dështimeve tek qytetarët

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka vënë sërish theksin te kriza energjitike. Sipas tij, kryefjala e diskursit gjeopolitik-politik në Evropë e përtej saj, në kushtet e luftës në Ukrainë dhe pasojave të saj, është energjia, sigurimi i burimeve alternative të gazit rus, por mbi të gjitha, ruajtja e qytetarit nga kostot në rritje të tejskajshme të energjisë.

"Në Shqiperi, ku kryeministri artist vijon lejen krijuese për vjedhje dhe korrupsion, mënyra e vetme e gjetur prej tij për të trajtuar krizën energjetike është të kërcënojë me 4-fishimin e kostove për tejkalimin e fashos së konsumit prej 800kw. Sigurisht që regjimet autokratike i pëlqejnë politikat shtrënguese; kufizimet dhe burgjet. Këto politika kanë qëllim kryesor të mbulojnë pa-aftësinë e regjimit për të bërë detyrat më minimale në menaxhimin e ekonomisë në përgjithësi dhe sektorit energjitik në veçanti.“- shkruan Meta.

Sipas tij, faktet flasin për një realitet të trishtë, por jo të papritur, të krijuar nga paaftësia, papërgjegjshmëria, grykësia në vjedhje dhe korrupsioni i tejskajshëm, ku fjala dështim është përcaktori i vetëm.

“Ka patur kohë të mjaftueshme për të ecur sipas para-shikimeve të Master Planit të Gazit për rrjetin kombëtar, për projektet e IAP (Ionian Adriatic Pipe-line), ALKOGAP (Albanian Kosovo Gas Pipeline), lidhja e TAP me tubacionin e Fier-TEC Vlorë. Gazifikimi Shqipërisë është në pikën zero. Dështim përbën mos vendosja në punë e TEC-it të Vlorës dhe për të rritur kapacitetin prodhues me deri dy njësi të tjera prodhimi me nga 97 MW secila, gjë që do të krijonte një balancim dhe siguri më të lartë të prodhimit nga uji. Dështim përbën mungesa e mbështetjes për instalime të prodhimit të energjisë nga burimet e diellit dhe të erës. Zgjidhjen për këto dështime nga regjimi autokratik i dështuar e gjejnë duke e kaluar barrën tek qytetarët dhe bizneset, duke u bërë thirrje të kursejnë në shërbimet jetike të familjeve të tyre. Në fakt, mënyra më e mirë për të “kursyer” energjinë është fikja e televizorëve sa herë përfaqësuesit e Rilindjes dalin e gënjejnë për “sukseset” e tyre që në fakt janë veç dështime me pasoja për sot dhe për të ardhmen e vendit.”- shkruan Meta.

/rtsh.al/