RTSH 24 Live

Politikë

Kriza energjetike, Meta: Situata dramatike, ka në themel dështimet e qeverisë

28/09/2022

Kriza energjetike, Meta: Situata dramatike, ka në themel dështimet e qeverisë

Dështimet dhe premtimet e pambajtura të qeverisë janë faktorët kryesorë të krizës energjetike në Shqipëri. Kështu ka deklaruar Kryetari i Partisë së Lirisë në një konferencë për media, teksa ka shprehur shqetësimin se situata në Shqipëri është dramatike pasi nuk ka as 0.1% të energjisë së rinovueshme.

Kanë nisur denoncimet e mjaft qytetarëve që janë mbifaturuar ose të cilëve u është faturuar në sahatët e tyre energji ndërkohë që nuk kanë qenë fare në banesat e tyre, por kanë qenë jashtë shtetit gjatë muajve të fundit. Dua të theksoj se kjo situatë e pajustifikuar e rritjes së çmimit të energjisë në themel ka dështimet e qeverisë dhe kryeministrit aktual i cili pas 10 vjetësh kërkon të shpëtojë te të gjithë krizat që ndodhin në botë, ndërkohë që kriza këtu thellohet. Faktorët e kësaj krize energjetike janë dështimet dhe premtimet e pambajtura të qeverisë në këtë sektor. Situata është dramatike, as 0.1% nuk kemi të energjisë të rinovueshme”, tha Meta.

Meta deklaroi më tej se Kryeministri mashtron kur deklaron se kriza energjetike nuk do të prekë konsumatorët familjarë.

Përkeqësim ka pasur në detyrimet e prapambetura. Dështim i plotë është mosoperimi edhe sot e kësaj dite e bursës shqiptare të energjisë elektrike. Sipas premtimeve dhe angazhimeve të qeverisë duhet të ishte funksionale që në vitin 2019. Dështim dhe vonesa për 5 vjet janë në projektet e rëndësishme të sistemit të transmetimit.

Kryeministri i dështimeve në këto 10 vite sigurisht që nuk flet dot për këto por përpiqet të shpikë faktorë të tjerë dhe ndërkohë punon për të ngulur thikën e gjithë kësaj krize që ka në thelb hajdutllëkun e tij në kurriz të qytetarëve madje dhe duke mashtruar se kjo nuk do të prekë konsumatorët familjarët. Do të prekë edhe biznesin dhe sipërmarrjet që do të kenë riskun e falimentimit për shkak të kostove të rritura të energjisë. Ata që do të përpiqen të kursejnë në kushtet e të ftohtit do të shtojnë shpenzimet për ilaçet. Do të vazhdojmë të merremi”, tha Meta.

/rtsh.al/