RTSH 24 Live

Kosova

Kriza energjetike, Kosova zgjat masat emergjente edhe për 30 ditë

08/12/2022

Kriza energjetike, Kosova zgjat masat emergjente edhe për 30 ditë

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të enjten ka mbështetur vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.

Kuvendi me 61 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratoi masat emergjente.

Vendimin e ka arsyetuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila kërkoi nga deputetët ta mbështesin  qeverinë me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes me energjie elektrike.

“Duke marrë parasysh krizën energjetike evropiane nga e cila po ndikohet edhe vendi ynë, në funksion të tejkalimit të kësaj situate, Qeveria e Kosovës i propozon Kuvendit të Kosovës zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energjie elektrike me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes dhe marrjes së masave shtesë dhe vazhdimit të masave ekzistuese” tha Rizvanolli.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me sektorin e energjisë. Shala ka thënë se ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, legjislativ e as operacional për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti nuk ndërmori asnjë veprim për të gjetur zgjidhje për krizën energjetike. Mustafa gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se LDK-ja paralajmërimet për krizën energjetike i ka dhënë nga pranvera e vitit 2021.

Më 24 dhjetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

“Si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Më pas, me 23 shkurt të këtij viti, Qeveria kishte marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike. Këto masa kanë vazhduar çdo here deri më tani .

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet.

 

/ rtsh.al /