RTSH 24 Live

Ekonomi

Kriza e karburanteve, Bordi vendos të ulë çmimin e naftës dhe të benzinës

03/02/2023

Kriza e karburanteve, Bordi vendos të ulë çmimin e naftës dhe të benzinës

Ulet me 5 lekë çmimi i naftës. Ky është vendimi i Bordit të Transparencës, i cili ka publikuar çmimet e reja të karburanteve, ku vihet re se çmimi i naftës është ulur me 5 lekë, konkretisht nga 197 lekë për litër që ishte, nafta do të shitet me 192 lekë për litër. Edhe benzina ka pësuar ulje të çmimit me vetëm 2 lekë, nga 189 lekë që ishte do të shitet me 187 lekë për litër. 

“Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 02.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 846, -12 nga data 01.02.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 826, -35 nga data 01.02.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 106.29 (-1.07 nga data 01.02.2023). Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.”- thuhet në njoftimin e Bordit.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 98 lekë/litër.

“Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 3 Shkurt, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.”- përfundon njoftimi për shtyp i Bordit të Transparencës.

/rtsh.al/