RTSH 24 Live

Aktualitet

Krifca takon homologun e saj italian: Ulliri dhe vaji i ullirit shqiptar do të eksportohet në Itali

07/12/2022

Krifca takon homologun e saj italian: Ulliri dhe vaji i ullirit shqiptar do të eksportohet në Itali

Ulliri dhe vaji i ullirit shqiptar do të eksportohet në Itali, ndërkohë që teknologjia italiane e përpunimit të vajit të vijë në Shqipëri për të rritur produktivitetin dhe cilësinë.  Kjo u bë e ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pas një takimi që ajo zhvilloi me ministrin e Bujqësisë dhe Sovranitetit të Ushqimit të Italisë, Francesco Lollobrigida.

Përfituesit pritet të jenë fermerët shqiptarë, të cilët do të kenë akses edhe në tregun Italian, përmes kontratave të drejtë për drejta mes grumbulluesve shqiptarë dhe hipermarketeve në Itali. 

Ministri italian Francesco Lollobrigida theksoi se Italia ka nevojë për tregje ku të blejë ullirin dhe vajin e përpunuar dhe, sipas tij,  “prodhimi shqiptar i plotëson kërkesat e kompanive italiane”.

"Së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Sovranitetit të Ushqimit, Francesco Lollobrigida mbi zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe tregtisë. U zotuam të çojmë përpara bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve tona mike duke u fokusuar në: Nxitjen e shkëmbimeve tregtare përmes lidhjes së pikave të grumbullimit me hipermarketet italiane për frutat dhe perimet. Ulliri dhe vaji i ullirit shqiptar të eksportohet në Itali, ndërkohë që teknologjia italiane e përpunimit të vajit të vijë në Shqipëri për të rritur produktivitetin dhe cilësinë.”- shkruan Krifca në rrjetin e saj social Facebook.  

Ministrja e Bujqësisë informon se në takim, përveç vajit të ullirit, u diskutua edhe mbi mundësiet e rritjes së prezencës së produkteve të tjera shqiptare në tregun italian.

/rtsh.al/