RTSH 24 Live

Politikë

Kreu i SPAK: Askush nuk i shpëton më drejtësisë prej lidhjeve politike!

23/07/2021

Kreu i SPAK: Askush nuk i shpëton më drejtësisë prej lidhjeve politike!

Byroja Kombëtare e Hetimit është gati për të nisur punën së shpejti pas trajnimit nga partnerët ndërkombëtarë. Në tryezën e organizuar për 5-vjetorin e Reformës në Drejtësi, kreu i SPAK Arben kraja tha se grupi i parë i punës është shumë efikas dhe i përgatitur.

“Grupi i parë i punës i Byrosë së Hetimit është gati për të filluar punë. Është një grup shumë efikas, shumë i mirë dhe me shumë vullnet për të patur produkt dhe rezultat”, u shpreh Arben Kraja.

Duke folur për aksionet e fundit të SPAK, kreu i këtij institucioni theksoi se struktura po bëhet shumë efikase dhe përpara ligjit nuk do të tolerojnë askënd.

“Rezultatet e fundit besoj janë të matshme dhe kanë treguar që struktura po fillon të funksionojë, ndëshkueshmëri me vendime gjyqësore të formës së prerë, me konfiskime të pronave që rrjedhin nga aktiviteti kriminal por dhe hapje hetimesh ndaj personave zyrtarë apo jo zyrtar. Struktura po bëhet me efikase dhe po jep produkte konkrete. Koncepti i pandëshkueshmërisë për aryse të lidhjeve politike do të marrë fund. Ne punojmë me parimin të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe të jeni të sigurtë që kështu do të vazhdojmë deri në fund”, u shpreh kreu i SPAK, Arben Kraja.