RTSH 24 Live

Politikë

Kreu i PD, Basha: 13 qershori test për demokratët

10/06/2021

Kreu i PD, Basha: 13 qershori test për demokratët

Kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha, e konsideron 13 qershorin si test për demokratët, pasi, sipas tij, "të të dielën nuk do të përcaktohet vetëm kryetari i ardhshëm, por edhe aksioni politik". Takimet me demokratët i vijuan sot edhe 3 kandidatët e tjerë në garë për drejtimin e partisë.

"13 Qershori është testi i parë më i rëndësishëm për demokratët pas zgjedhjeve parlamentare, ku do të përcaktohet jo thjesht drejtuesi i PD, por edhe aksioni politik. Ftesa ime kryesore është që ta konsiderojmë pjesëmarrjen në 13 qershor si një akt politik dhe si testin e parë më të rëndësishmin pas 25 prillit për t’i thënë çdo shqiptari dhe kundërshtari tonë se Partinë Demokratike pas 25 prillit e ka përballë më të madhe më të vendosur, më të fortë, për t’i shkuar deri në fund misionit për demokraci”, u shpreh  Basha.

Gjatë takimeve në disa degë të Tiranës, Basha i kërkoi kandidatëve përballë tij, të mos mohojnë masakrën zgjedhore. 

 “Pa paragjykuar lirinë e çdokujt që ka vendosur të kandidojë në këtë garë, të mohosh masakrën e 25 prillit dhe të njohësh zgjedhjet, do të thotë dorëzim pa kushte para padrejtësisë”, u shpreh Basha.

Tirana ishte ndalesa edhe e kandidatit, Agron Shehaj. Ai tha se demokratët kërkojnë vizion të ri për të drejtuar partinë në katër vitet e ardhshme, kurse udhëheqja kërkon të mos ndryshojë asgjë. Zonja Edith Harxhi shpalosi në Krujë plarformën e saj për reformimin e PD, ndërsa Fatbardh Kadilli, nëpërmjet rrjeteve sociale, prezantoi edhe një herë sugjerimin e tij për postin e kryetarit të partisë.

 “Kryetari ose fiton dhe bëhet Kryeministër, ose shkarkohet dhe shkon në shtëpi”, tha Kadilli.