Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka zhvilluar një takim me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Palm Beach, Florida.
"Ata diskutuan gamën e çështjeve të sigurisë globale me të cilat përballet Aleanca," tha zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, në një deklaratë të shkurtër.
Në faqen e saj, NATO shkroi se Rutte dhe ekipi i tij u takuan gjithashtu me kongresmenin Mike Waltz, i zgjedhuri i Trump për të qenë këshilltari i tij për sigurinë kombëtare kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, dhe anëtarë të tjerë të ekipit të sigurisë kombëtare të presidentit të zgjedhur.
Rutte, i cili mori detyrën si shef i NATO-s muajin e kaluar, u konsiderua gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mirë evropianë në krijimin e një marrëdhënieje të mirë pune me Trump gjatë mandatit të tij të parë, 2017-21 si president i SHBA.
/rtsh.al/