RTSH 24 Live

Aktualitet

Kreu i KLP raporton te ‘Ligjet’: 8 prokurorë u kërcënuan me jetë gjatë 2021

18/05/2022

Kreu i KLP raporton te ‘Ligjet’: 8 prokurorë u kërcënuan me jetë gjatë 2021

8 prokurorë janë kërcënuar me jetë gjatë 2021 për shkak të detyrës së tyre dhe janë marrë në mbrojte. Kreu i KLP, Alfred Balla tha se mbrojtja ndaj tyre ka qenë me periudha të caktuara por ka pasur edhe raste të përsëritura kërcënimi. Këtë Balla e bëri të ditur gjatë raportimit për punën e bërë të KLP-së gjatë 2021-it në Komisionin e Ligjeve.

“Ka funksionuar dhe komisioni i mbrojtjes së prokurorëve në rastet kur cenohet jeta, tërësia fizike e prokurorit apo familjarëve të tij me kërkesë të prokurorit pranë KLP. Në 8 raste është ofruar mbrojtje prokurorëve të Republikës por këto raste mund të jenë me afate kohore, 3 mujore, 6 mujore por mund dhe të jenë ripërsëritur dhe komisioni është mbledhur disa herë. Numri total i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga KLP për vitin 2021 ka qenë 8”, tha Alfred Balla.

Në komision ka pasur edhe debate me punën e bërë të KLP, ku Fatmir Xhafa tha se ky institucion nuk i ka plotësuar pritshmëritë e publikut.

“Drejtësi e re do të thotë kushtetutë dhe ligje të reja. Përgjegjshmëri, llogaridhënie, transparencë që i kanë munguar sistemin. Të gjithë shpresojnë që drejtësia e re ta bëjë këtë gjë. Disa prej këtyre institucioneve kryesisht KLP nuk e ka arritur. Nuk ndihem mirë që e artikuloj sot këtë gjë. Por dua të jem i drejtë. Nuk kam më arsye ta mbaj koston përpara publikut. Nuk ka pse ta mbajë shoqëria këtë gjë. Do e mbani ju”, tha  Xhafa.

/rtsh.al/