RTSH 24 Live

Politikë

Kraja: SPAK po heton 832 raste korrupsioni, dërguam pas hekurave ish-ministra e deputetë! Hetimi i Berishës? S’mund të flas

18/05/2022

Kraja: SPAK po heton 832 raste korrupsioni, dërguam pas hekurave ish-ministra e deputetë! Hetimi i Berishës? S’mund të flas

832 raste që lidhen me korrupsionin janë nën hetim nga SPAK, ndërsa personat që po hetohen nuk e dinë këtë gjë. Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se po kryhen hetime proaktive për të vënë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Lidhur me hetimin e zyrtarëve të lartë, Kraja tha se SPAK deri tani ka çuar pas hekurave ish ministra, kryebashkiakë e deputetë. Këtë raportim Kraja e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ku në fokus kishte pikërisht luftën kundër korrupsionit në kuadër të integrimit në BE.

“SPAK ka në fokus zbatimin e rekomandimeve. Për të realizuar rekomandimet jemi mundur të kryejmë hetime proaktive, kemi bashkëpunuar shumë me Policinë e Shtetit. Kemi bashkëpunuar me institucionet homologe jashtë vendit. Hetim proaktiv është koncept i gjerë, që po heton pa e ditur tjetri që po e heton. 80 % të rasteve që kemi në dorë janë hetim proaktiv. Nëse i referohemi shifrave, janë nën hetim 832 vepra penale për korrupsion. Në lidhje me veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, mund të përmendim zyrtarë në statusin e ish-ministrit, deputetit dhe janë tre kryetarë bashkish. Jemi në fushë të ngatërruar. Janë kryer hetime ndaj disa subjekteve”, tha Kraja.

Në mbledhje ka pasur edhe debate lidhur me hetimin e Sali Berishës i shpallur non grata nga SHBA. Taulant Balla i kërkoi Krajës nëse kanë nisur apo jo hetimet ndaj Berishës lidhur me 21 janarin, Gërdeci, por kreu i SPAK tha se nuk mund të përgjigjet për këtë pasi nuk e lejon ligji.

 “Pse SPAK nuk heton 21 janarin, pse nuk heton korrupsionin në Gërdec? E treta që për mua është e rëndësishme, çfarë opinioni ka prokuroria shqiptare për 'non grata'. SHBA kanë përcaktuar Sali Berishën "non grata"”, tha Balla.

 “Unë nuk do të jap asnjë përgjigje për pyetjet konkrete , rreth individëve që mund të jenë në hetim dhe as do jap opinion për çështjet që më kërkuat. Kjo është e shkruar në ligjin që keni votuar ju, dhe unë do të zbatoj ligjin", tha Kraja.

Pyetjes së Ballës i është përgjigjur edhe Jorida Tabaku, e cila i tha se duhet të ketë të njëjtën thirrje për ish deputetët e PS që kanë kryer krime zgjedhore.

“Unë shpresoj që të njëjtat mendime t’i ndanit edhe për ish-deputetët e Partisë Socialiste që janë shpallur ‘non grata’. Dhe bëhet fjalë për krime zgjedhore. Ndaj ju ftoj që thirrjen  SPAK t’ia bëni edhe për ato”, tha Tabaku.

/rtsh.al/