RTSH 24 Live

Kronika

KQZ miraton rezultatin e zgjedhjeve për të gjitha qarqet, partitë 5 ditë afat për ankimimet

04/05/2021

KQZ miraton rezultatin e zgjedhjeve për të gjitha qarqet, partitë 5 ditë afat për ankimimet

KQZ miraton rezultatet për të 12 qarqet e vendit dhe për 140 deputetët që do të përbëjnë parlamentin e ri të vendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, ku PS fitoi 74 mandate, PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate. Pas Kukësit ku rezultati u miratua disa ditë më parë, KQZ miratoi sot rezultatin edhe për 11 qarqet  Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Elbasan, Shkodër, Dibër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër. Partitë politike dhe kandidatët e pavarur kanë 5 ditë afat të bëjnë ankimim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) nëse kanë pretendime për rezultatin, apo kërkesa për rinumërim. Deri tani nuk ka asnjë pretendim nga partitë e përfaqësuara në KQZ në lidhje me rezultatin edhe pse kanë bërë disa vërejtje të vogla.

Gjatë diskutimeve kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh se KQZ është në dispozicion për të dhënë informacionet e nevojshme apo materiale filmike për çdo subjekt zgjedhor dhe kandidatë të pavarur që ka ankesa se akte apo veprime të caktuara në qendra të ndryshme zgjedhore apo KZAZ mund të kenë çuar në deformim apo manipulim të votës së lirë, që i shërben zbardhje së të vërtetës.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Berat, ku PS ka marrë 5 mandate dhe PD-AN ka marrë 2 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Durrës, ku PS ka marrë 8 mandate dhe PD-AN ka marrë 6 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Dibër, ku PS ka marrë 2 mandate dhe PD-AN ka marrë 3 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Shkodër, ku mandatet janë ndarë 3 për PS, 5 mandate për PD-An, 1 për LSI dhe 2 për PSD.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Tiranë, ku PS ka marrë 18 mandate, PD-AN ka marrë 15 mandate dhe LSI ka marrë 2 mandate. Në Tiranë edhe PSD ka marrë 1 mandat.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Elbasan, ku PS ka marrë 8 mandate dhe PD-AN ka marrë 6 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Vlorë, ku PS ka marrë 8 mandate dhe PD-AN ka marrë 4 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Korçë, ku PS ka marrë 6 mandate dhe PD-AN ka marrë 5 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Kukës, ku PS mori 1 mandat dhe PD-An mori 2 mandate.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Gjirokastër, ku PS ka marrë 3 mandate dhe PD-AN ka marrë 1 mandat.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Fier, ku PS ka marrë 9 mandate, PD-AN ka marrë 6 mandate dhe LSI 1 mandat.

-Miratohet tabela për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për të gjitha subjektet zgjedhore për qarkun Lezhë, ku PS ka marrë 3 mandate dhe PD-AN ka marrë 4 mandate.

Në zgjedhjet e 25 prillit, Partia Socialiste siguroi mandatin e tretë qeverisë me 74 mandate ose e thënë në gjuhën e shifrave, ajo ka arritur që të marrë 48.68 % ose 768177 vota. Koalicion PD-AN ka siguruar 59 mandate ose 39.43 % të votave. LSI-së, e cila pësoi dhe disfatën më të madhe nga 2017, ku më 25 prill mori vetëm 4 mandate, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ndërsa PSD e Tom Doshit që mori 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë.