RTSH 24 Live

Kronika

KQZ kërkon 10 mln euro për votimin elektronik

02/12/2020

KQZ kërkon 10 mln euro për votimin elektronik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Qeverisë dhe Kuvendit që të rishikojnë buxhetin e viti 2021 dhe të ndajë për vitin e ardhshëm rreth 10 mln euro për votimin elektronik.

“Nga analiza e propozimeve financiare, të cilat u përdorën si referencë për percaktimin e vlerës së përafërt, rezultoi se vlera e këtij projekti është afërsisht 1.248.634,198 lekë”, thuhet në kërkesën e KQZ dërguar Kuvendit dhe Qeverisë.

Shuma është nxjerrë si mesatare nga përllogaritja e ofertave të 4 kompanive ndërkombëtare që deri më 28 nëntor i janë përgjigjur thirrjes së KQZ për shprehje interesi për realizimin e votimit elektronik. Koha nuk pret.

“Kërkojmë ndërhyrjen tuaj emergjente, për vënien në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të fondeve të domosdoshme “Për implementimin e projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet e datës 25 prill 2021″, në shumën totale 1.248.634.198 lekë”, vijoj kërkesa e KQZ.

Letra është firmosur nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Identifikimi dhe votimi elektronik ka qenë një prej kushteve të Partisë Demokratike në marrëveshjen e 5 qershorit. Sipas vlerësimit fillestar të PD, kostoja e këtij procesi llogaritej në rreth 6 mln euro. Por kërkesa e KQZ shkon 4 mln euro më shumë.