RTSH 24 Live

Kronika

KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet gjyqtari Ilir Mustafaj

23/07/2021

KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet gjyqtari Ilir Mustafaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të enjtes lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Tiranës, Ilir Mustafaj.

Në njoftimin e KPA thuhet se, trupi gjykues i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Ina Ramën, Ardian Hajdarin dhe Sokol Çomon, pasi shqyrtoi në dhomë këshllimi ankimin e Mustafajt kundër vendimit të Komisionit, me shumicë votash, vendosi ta rrëzojë atë.

Gjyqtari Mustafaj u shkarkua nga detyra më 18 korrik 2019 nga trupi gjykues i KPK-së i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Shanxhaktarin, për mos deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

"Me vendimin e sotëm të Komisionit nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Mustafaj do e ankimojë vendimin në instanca më të larta dhe jam i bindur që ato do të vendosin pro drejtësisë së tij. Por sot ka humbur vendi. Ka humbur Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm, profesional të karrierës dhe një profesor të së drejtës”, tha në atë kohë Mustafaj.