RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, opozita s’i beson Kurtit për reciprocitetin, BE e quan pengesë për dialogun

17/04/2021

Kosovë, opozita s’i beson Kurtit për reciprocitetin, BE e quan pengesë për dialogun

Paralajmërimeve të qeverisë Kurti për rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë nuk po i besojnë nga opozita. Në PDK dhe AAK thonë se kryeministri Kurti po e përdorë këtë vetëm për të manipuluar me qytetarët dhe konsum të brendshëm. Ndërkohë, Bashkimi Evropian po kërkon nga institucionet e Kosovës të përmbahen nga veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se qeveria e re duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“BE dhe shtetet e saj anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me synimin për të vazhduar takimet e Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre, për ta sjellë një përfundim të suksesshëm për këtë proces të rëndësishëm. Në përgjithësi, Bashkimi Evropian u bën thirrje Palëve të Dialogut dhe pret prej tyre, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, dhe të cilat nuk kontribuojnë për një progres të suksesshëm të Dialogut", thotë ai për KosovaPress.
Deklaratave të kryeministrit për vendosjen e masave të reciprocitetit nuk po i beson anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi.
Kritik ndaj Kurtit për këtë temë është edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Por, ndryshe e sheh analisiti politik, Rasim Alija, i cili thotë se reciprociteti ndaj Serbisë, si ndër premtimet kyçe të Kurtit gjatë fushatës është i pashmangshëm.
Ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se reciprociteti ndaj Serbisë do të ndodhë, mirëpo ende nuk ka një datë të caktuar për implementim.