RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, mosçertifikimi i kandidatëve, KQZ: Do të presim vendimin e PZAP-it!

23/01/2021

Kosovë, mosçertifikimi i kandidatëve, KQZ: Do të presim vendimin e PZAP-it!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se subjektet politike, ato që u certifikuan, por edhe ato që u refuzuan, tashmë janë njohur me vendimin e këtij institucioni. Kjo është bërë e ditur për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar me pak fjalë vendimet që dolën nga mbledhja maratonike e një ditë më parë. 
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka dërguar vendimet përkatëse atyre subjekteve politike që u është certifikuar lista e kandidatëve për deputetë, por edhe subjekteve që KQZ-ja refuzoi të certifikonte listën e tyre. Në arsyetim të vendimit janë dhënë arsyet e refuzimit të certifikimit. Një nga këto arsye është se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka rekomanduar në kundërshtim të plotë me nenin 29, germën ‘q’, të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme edhe pas njoftimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për personat të cilët kanë qenë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit”, tha Elezi.
Elezi theksoi se pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten nga partitë politike dhe se ata do te presin për vendimin e këtij institucioni
"Pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni", deklaroi Elezi.