RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, mbi 803 mijë qytetarë vaksinohen me dozën e dytë anti-COVID

28/01/2022

Kosovë, mbi 803 mijë qytetarë vaksinohen me dozën e dytë anti-COVID

Prej fillimit të procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.764.421 doza të vaksinës. E deri më sot 803 mijë e 638 qytetarë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë, njofton ATSH.

Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) deri më tani janë dhënë 68.526 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Ndërkohë që numri i të infektuarve javët e fundit ka shënuar rritje. Në raportin e fundit IKShPK njoftoi për gjashtë të vdekur dhe 3 mijë e 917 raste të reja me COVID-19.

Aktualisht në vend janë 28 mijë e 751 raste aktive me koronavirus, e që Prishtina prinë me numrin më të lartë të këtyre rasteve me 9 mijë e 473.

Për situatën epidemiologjike me COVID-19 të enjten në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe debat parlamentar.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme Kuvendi nuk miratoi rekomandimet e tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19. Kundër këtyre rekomandimeve ishin 41 deputetë, ndërsa “pro” ishin vetëm 22.

Kujtojmë se nga 22 janari janë në fuqi masat e reja anti-COVID. Në bazë të së cilave gastronomia punon deri në orën 21:00, ndërsa ora policore është vendosur nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Masë tjetër që ka nxitur reagimin edhe të shteteve fqinje është hyrja në Kosovë me dozën e tretë të vaksinës ose testin PCR.