RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, KQZ merr vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve

22/02/2021

Kosovë, KQZ merr vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kjo pas shpërputhjeve të të dhënave ndërmjet kandidatëve për deputetë dhe subjektit politik pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, derisa i renditi arsyet për rinumërim, tha se këto vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta. “Një numër i madh i formularëve të kandidatëve nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të mos përputhjes së të dhënave. Pasi ka kandidatë që ka më shumë vota se subjekti politik. Ndërsa ka raste kur subjekti ka vota, e kandidatët nuk kanë dhe anasjelltas”, tha ai.

Ndërkohë, kritika për refuzimin e votave me postë nga diaspora shprehu anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi, i cili kërkoi formimin e një komisioni për verifikimin e tyre. Derisa edhe kritikoi sekretariatin për mos numërimin e votave me kusht në QNR.

Këtë kryeshefi i sekretariatit, Burim Ahetmaj e konsideroi si presion, por Kurteshi ia ktheu se kjo fjali është mbulim i mospunës në QNR.

Por këtë procesim të të dhënave e konsideroi në suaza të normales, Sami Hamiti nga LDK. Krahas kësaj, Kurteshi ngriti shqetësimin edhe për votat komuniteteve jo shumicë në zona ku demografia etnike nuk është në përputhje me votat e fituara.

“Ka raste ku në disa komuna që nuk ka pjesëtarë të komunitetit boshnajkë, e kanë marrë vota në aty komuna. Pse KQZ heshtë. Vota për vendet e garantuara nuk mund të keqpërdoren”, tha ai. /KosovaPress/