RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, 10 milion euro gjoba për shkelje të masave anti-Covid

07/01/2022

Kosovë, 10 milion euro gjoba për shkelje të masave anti-Covid

Që nga nisja e pandemisë së covid 19, Policia e Kosovës ka vënë 10 milionë euro gjoba ndaj qytetarëve që kanë shkelur rregullat e vendosura nga autoritetet, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, njofton Monitor. Sipas revistës kjo shumë është përfituar nga vendosja e gjobave për mbi 300 mijë qytetarë. Gjobat janë vendosur që nga muaji gusht i 2020-s deri në dhjetor të 2021.
“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Nga data 28.08.2020 deri 19.12.2021 janë shqiptuar 303023 fletëparaqitje ( tiketa) ne baze te ligjit anti-COVID 19”, ka bërë të ditur Policia.
Shifra të larta të gjobave janë edhe për bizneset e që janë dhënë nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë. Gjithsej gjatë 2021-tës janë mbi 6 mijë gjoba të vëna për mosrespektim të vendimeve të Ekzekutivit.
Sipas Ligjit për pandeminë, mosmbajtja e maskës është e dënueshme për personat fizikë, 35 euro, derisa dënimet për biznese arrijnë deri në 2 mijë euro.