RTSH 24 Live

Kosova

Kosova sërish në qendër të sulmeve kibernetike, qeveria: Janë parandaluar tentativat, nuk janë cënuar të dhënat

13/09/2022

Kosova sërish në qendër të sulmeve kibernetike, qeveria: Janë parandaluar tentativat, nuk janë cënuar të dhënat

Kosova është gjendur sërish gjatë javës së fundit, në qendër të sulmeve kibernetike. Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe qeveria e Kosovës, pasi sot Telekomi i ka rënë pre sot e këtyre sulmneve.

Sipas një informacioni për shtyp, qeveria kosovare ka deklaruar se sulmi i llojit DDoS, ka shkaktuar pengesa dhe mungesë të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare.

Në njoftim sqarohet se me aplikimin e masave të menjëhershme, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdimin e sulmit.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS, që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit”, thuhet në komunikatën për media.

Të gjitha shërbimet qeveritare thuhet se janë plotësisht të arritshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Qeveria bëri të ditur se në asnjë moment nuk janë cënuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave, në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

/rtsh.al/