RTSH 24 Live

Kosova

Kosova në vështërsi, vetëm 700 mijë euro rezerva shtetërore, thesari u zbraz nga qeveria Haradinaj

05/03/2021

Kosova në vështërsi, vetëm 700 mijë euro rezerva shtetërore, thesari u zbraz nga qeveria Haradinaj

Në thesarin e shtetit të Kosovës gjenden aktualisht vetëm 699 mijë e 535 euro si rezerva shtetërore. Kjo është shuma me e vogël që Kosova ka pasur ndonjëherë si fond rezervë. Buxheti për vitin 2021 është mbi 2 miliardë e 412 milionë euro, kurse si rezerva në këtë buxhet ishin paraparë 34 milionë euro.

Nëse në Kosovë ndodh ndonjë situatë emergjente dhe shteti ka nevojë për shpenzimin e parave rezervë, atëherë drejtuesit e Qeverisë do gjenden në një shtuat të rëndë. Rezervat shtetërore të Kosovës për momentin janë shumë të varfra. . Në thesarin e shtetit të Kosovës gjenden aktualisht vetëm 699 mijë e 535 euro si rezerva shtetërore Në Ministrinë e Financave kanë treguar se rezervat e shtetit nuk e mbërrijnë as shifrën e 1 milion eurove.

“Në programin buxhetor shpenzimet e paparashikuara, gjendja e tanishme është si vijon: Buxheti për Investime Kapitale është 1.000.000 euro dhe rezervat shtetërore janë 699. 535 euro.”

Sipas projektimeve, buxheti i Kosovës për vitin 2021 është mbi 2 miliardë e 412 milionë euro. Nga projeksionet fiskale, gjithsej të hyrat buxhetore janë paraparë të jenë 1 miliard e 886 milionë euro, kurse shpenzimet parashikohet të jenë 207.6 milionë më të vogla se sa vitin paraprak.

Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliard e 169 milionë euro. Prej gjithsej shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 625 milionë euro janë paga dhe shtesa, rreth 311 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva.

Këtë vit buxheti për 38 komunat do të jetë mbi 550 milionë euro. Komuna me buxhetin më të lartë, do të jetë ajo e Prishtinës me rreth 86 milionë euro, Parteshi do ta ketë buxhetin më të ulët, pra me vetëm 1 milionë euro. Kurse, Buxheti i Kosovës për vitin 2020 ka qenë 2.4 miliardë euro.

Edhe vitin e kaluar të hyrat nga tatimet dhe taksat kanë përberë shtyllën kryesore prej së cilës ishte varur qëndrueshmëria financiare e shtetit që njëherësh është burimi kryesor i mbushjes edhe të buxhetit të Kosovës. Gjatë vitit 2019 qeveria kishte ndarë 4.8 milionë euro si rezerva shtetërore në buxhetin e Kosovës.

Zbrazja e fondit për rezerva shtetërore ishte bërë gjatë qeverisjes Haradinaj. Republika e Kosovës, që nga viti 2013 ka filluar me grumbullimin e rezerva shtetërore të mallrave, si produkte esenciale ushqimore, agro-ushqimore dhe produkte të derivateve të naftës.

Rezervat shtetërore të mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës, apo rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta dhe në raste të fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha.

Rezervat shtetërore në Kosovë i përbëjnë produktet e miellit, orizi, sheqeri, konservat e mishit, makaronat, marmelata dhe kripa. Kurse, nga produktet joushqimore, Republika e Kosovës ka rezerva të derivateve të naftës.