RTSH 24 Live

Rajon

Kosova dhe Serbia hap para lidhur me energjinë, Borrel vlerëson Kurtin dhe Vuçiç

21/06/2022

Kosova dhe Serbia hap para lidhur me energjinë, Borrel vlerëson Kurtin dhe Vuçiç

Kosova dhe Serbia hedhin një hap para, lidhur me marrdhëniet mes tyre në fushën e energjisë. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, nëpërmjet një statusi në mediat sociale, bëri të ditur se kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për t’i përgëzuar ata pasi delegacionet e dy vendeve arritën sot dakordësinë për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel.

“Bisedova sot me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin, për t’i përgëzuar ata mbi arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të ketë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët.” shkruan Borrell.

Në Bruksel sot, në mes të palëve nga Kosova dhe Serbia, është arritur dakordësia mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga 2013. Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe në veri.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës. Bislimi tha se Elektrosever-i do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, si dhe do t’i faturojë dhe të mbledhë pagesa.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se udhërrëfyesi përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët. “Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim”, tha Petkoviç.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i, apo Qeveria e Kosovës.

/rtsh.al/