RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Koronavirusi po e humb fuqinë në Maqedoninë e Veriut, bien rastet e reja dhe vdekjet

30/12/2020

Koronavirusi po e humb fuqinë në Maqedoninë e Veriut, bien rastet e reja dhe vdekjet
Maqedonia e Veriut

Prej një jave, Maqedonia e Veriut po shënon rënie të numrit të të infektuarve me COVID-19, por edhe të viktimave.

Të marten, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 498 persona të infektuar nga rreth 2,500 të testuar në 24 orët e fundit.

Kjo është ulja më e madhe pas ditës së hënë, kur u regjistruan 83 të infektuar nga 700 teste të kryera.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, përqindja e numrit të të infektuarve thuajse është përgjysmuar në krahasim me periudhën e para dy javëve: nga më shumë se 40% në më pak se 20%.

Të hënën, numri i të infektuarve zbriti në 12%. Sa u përket viktimave nga COVID-19, të martën u regjistruan 17.

Kjo shifër po ashtu paraqet ulje në krahasim me periudhën e kaluar, kur numri i viktimave sillej mes 30 dhe 40 në ditë.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar gjithsej rreth 83,000 të infektuar me koronavirus.

Prej tyre, 2,473 pacientë kanë humbur jetën, rreth 60 mijë janë shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është rreth 19 mijë.