RTSH 24 Live

Ekonomi

Konfindustria: Kuvendi të ngrejë Komision Hetimor për keqmenaxhimin e sistemit energjetik

03/10/2022

Konfindustria: Kuvendi të ngrejë Komision Hetimor për keqmenaxhimin e sistemit energjetik

Në kuadër të krizës energjetike, Konfindustria kërkon nga Kuvendi të ngre një komision hetimor për vlerësimin e sistemit energjetik. Ky komision hetimor për Konfindustrinë duhet të hetojë keqmenaxhimin e sistemit energjetik për periudhën 2021-2022.

Sipas Konfindustrisë në Shqipëri ka një keqmenaxhim të sistemit energjetik, pasi vetëm për vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5 % më shumë energji se nevojat dhe papritur shpalli krizë energjetike në një kohë që nuk është e varur nga gazi rus dhe lufta në Ukrainë.

Konfindustria thotë se në këtë komision hetimor ERE duhet të jap shpjegime për fashën e energjisë, 5- fishimin rritjes së çmimi dhe vlerësimin e pavarësisë institucionale të tij.

‘Konfindustria, në kushtet e krizës energjetike të shpallur dhe shkaqet e krijimit të saj, i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të krijojë komision hetimor për vlerësimin e menaxhimit të sistemit energjetik në vitet 2021-2022. Njëkohësisht, si pjesë e procesit të sipërpërmendur ERE/Enti Rregullator i Energjisë të thërritet në seancë dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë shpjegimet për vendimet e fundit për fashën e energjisë, 5- fishimin rritjes së çmimi dhe vlerësimin e pavarësisë institucionale të tij.

Konfindustria vlerëson, se ngritja e komisionit hetimor nga Kuvendi i Shqipërisë për menaxhimin e sistemit energjetik, është tepër e vonuar dhe duhet të ishte kryer menjëherë pas shpalljes së krizës energjetike në vitin 2021. Vlerësojmë, se në vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike se nevojat për konsum të brendshëm dhe pa shpjegime kaloi në krizë. Ka të dhëna të shumta të besueshme, që shkaqet e kalimit në krizë energjetike në vitet 2021-22 lidhen me keqmenaxhimin skajor të sistemit. Shpjegimet lidhur me kalimin në krizë energjetike në kushtet e mësipërme duhet të hetohen dhe të bëhen të njohura për publikun nga komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë.

Konfindustria vlerëson, se Shqipëria, që prodhon energji elektrike nga burimet ujore, është relativisht e pavarur nga tregjet ndërkombëtare të lidhura me gazin rus dhe konfliktin në Ukrainë. Në kushte të një menaxhimi normal të sistemit energjetik dhe strategjive profesionale Shqipëria jo vetëm nuk duhet të kishte kaluar në krizë energjetike, por duhet të kishte përfituar epërsi të rëndësishme ekonomike dhe tregtare në kushtet e sotme të zhvillime ndërkombëtare energjetike.

Konfindustria vlerëson, se edhe në kushtet e çmimeve të sotme të parritura, bizneset dhe konsumatorët tariforë në Shqipëri kanë çmimet më të larta të energjisë elektrike dhe karburante në rajon. Rritja e mëtejshme e çmimeve të energjisë elektrike do të ishte shkatërruese për bizneset, mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e ekonomisë kombëtare”, njofton Konfindustria.

/rtsh.al/