RTSH 24 Live

Ekonomi

Konfindustria kundër fashës 800 kw: Preken 130 mijë familje, kufiri të rritet në 1200 kw/muaj

19/09/2022

Konfindustria kundër fashës 800 kw: Preken 130 mijë familje, kufiri të rritet në 1200 kw/muaj

Konfindustria kërkon që qeveria të rishikojë fashën prej 800 kilovatësh për të mbrojtur familjet nga çmimi i lartë i energjisë duke kërkuar rritjen e saj. Sipas Konfindustrisë, një familje shqiptare konsumon më shumë se 800 kilovatë në muaj, sidomos gjatë dimrit ku familjet që jetojnë në zona urbane ngrohen me energji elektrike.

Për Konfindustrinë fasha limit duhet të vendoset në 1200 kilovat në muaj, pasi nëse kjo nuk ndodh atëherë 90-130 mijë abonentë do të preken si pasojë e çmimit të lartë të energjisë në treg.

Gjithashtu Konfindustria bën thirrje që të ndërhyhet në sistemin elektrik që të mos ketë më humbje teknike të energjisë dhe se të investohet në panele diellore dhe prodhimit të energjisë me erë.

Konfindustria i kërkon ekzekutivit të rishikojë vendimin për kufirin e konsumit të energjisë elektrike mbi të cilën do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët. Në këtë kuptim kërkohet, që kufiri të jetë jo më pak se 1200 kw/muaj nga 800 kw/muaj të paralajmëruar.

Konfindustria vlerëson, se kufiri prej 800 kw/muaj konsum i energjisë elektrike në muajt e ftohtë tejkalohet nga jo më pak se 13-20% e familjeve, varësisht ashpërsisë së kushteve të motit. Sa më sipër do të thotë, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të preken të ardhurat e 90-130 mijë familjeve. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare sidomos në zonat urbane ngrohjen gjatë muajve të dimrit e kanë mbështetur kryesisht te energjia elektrike. Goditje më të fortë do të marrin buxhetet e familjeve me të ardhura të mesme. Njëkohësisht do të preken edhe më tej familjeve me të ardhura të ulta dhe shtresat në nevojë. Ndikimi i buxheteve familjare do të përcillet me pasoja të rënda shtesë te konsumi, bizneset dhe ekonomia kombëtare.

Shqipëria ka pavarësi të fortë, në jo më pak se 75%, krahasuese me shtetet e tjera të Europës nga ndikimi i çmimeve të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, përfshi edhe krizën e fundit të gazit rus. Sistemi energjetika shqiptar ka kapacitete të instaluara të prodhimit të energjisë elektrike më të mëdha sesa konsumi. Në vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike sesa nevojat e saj.

Problematikat kryesore qëndrojnë te:- varësia ndaj kushteve të motit, meqenëse ende prodhimi mbështetet te HEC- et si edhe - keqmenaxhimi i sistemit. Niveli i humbjeve teknike dhe jo teknike prej vitesh është mbi 21% të totalit me vlerë mbi 120 milion euro vit. Shumë pak është bërë në shtimin e shfrytëzimit të prodhimit të energjisë nga burimet diellore, të erës, etj. Gjithashtu, në mënyrë të pashpjegueshme TEC- i Vlorës me fuqi afër 100 MGW edhe pas 11 vitesh nuk është në gjendje pune”, thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.

Qeveria ka vendosur që nga 1 tetori familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj do të paguajnë energjinë elektrike me çmimin e tregut, 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat.

/rtsh.al/