RTSH 24 Live

Politikë

Konferenca e Kryetarëve miraton mocionin me debat për çështjen McGonigal, Balla: Kërkesa nuk e kishte firmën e "non gratës"

07/02/2023

Konferenca e Kryetarëve miraton mocionin me debat për çështjen McGonigal, Balla: Kërkesa nuk e kishte firmën e "non gratës"

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar zhvillimin e mocionit me debat për çështjen McGonigal. Lajmin e ka bërë me dije Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një komunikim për media pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve. Balla ka treguar edhe kushtin e vetëm të mazhorancës, se nëse kërkesa e opozitës do të mbante firmën e Sali Berishës, nuk do të pranohej. Data se kur do të zhvillohet mocioni me debat, do të vendoset pas një konsensusi mes kryetarëve të grupeve parlamentare.

“Në Konferencën e Kryetarëve i kam kërkuar shërbimeve të Kuvendit, është emergjencë që Kuvendi të organizojë një sërë trajnimesh për deputetët e opozitës, për t’i njohur ata me rregulloren e Kuvendit. Mendoj se ka patur koncensus për këtë çështje për të organizuar trajnime me deputetët e opozitës për mënyrën e fomulimit të kërkesës.

Në seancën plenare të së enjtes ka  patur dy kërkesa, një për ndryshimin e rendit të ditës, dhe një kërkesë për zhvillimin e mocionit me debat. Në zhurmën e pengimit, ose tentativës për të penguar punimet e Kuvendit, kam marrë fjalën dhe kam thënë: jemi të gatshëm të zhvillojmë një mocion me debat. Këtë gatishmëri sot, e kemi shprehur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për zhvilimin e mocionit me debat për ccështjen McGonigal, dhe përsa i përket kohës së sa orë dhe kur do zhvillohet, të jetë një zhvillim në vijim mes kryetarëve të grupeve parlamentare.  Konferenca e kryetarëve ka miratuar zhvillimin e një mocioni me debat. Deputetët e kanë kuptuar kushtin tonë të vetëm, që nëse është firma e Sali Berishës, nuk pranohen. Fakti që ata e kanë tërhequr në kërkesë firman e Berishës, tregon se ata kanë reflektuar pozitivisht për kushtin tonë të vetëm. Ditët në vijim do përcaktojmë ditën dhe orën”, tha Balla.

Ndërkaq, para disa ditësh, 19 deputetët të Komisionit të Rithemelimit kanë depozituar për herë të dytë në Kuvend kërkesën për mocion me debat për çështjen McGonigal dhe lidhjen e këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama. Në kërkesën drejtuar Kuvendit, ata kërkojnë që të mos kenë limit kohorë në debat, ndërsa kjo vjen pas seancës së pazakontë që u zhvillua më 2 shkurt.

Opozita kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe futjen e kërkesës së tyre për mocion me debat, por Kuvendi nuk e miratoi, ndërsa Kryeparlamentarja Lindita Nikolla argumentoi se kërkesa e tyre nuk ishte dorëzuar brenda afateve që duheshin. Për pasojë ajo deklaroi se kërkesa e opozitës do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Konferencës së Kryetarëve. Seanca u shoqërua me debate të forta, ndërsa opozita mbajti të bllokuar foltoren deri në përfundimin e saj.

Kërkesa drejtuar Kuvendit

Ditët e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali të përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane, dhe media amerikane e ndërkombëtare, më 21.01.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhëënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Në padinë e ngritur ndaj z. McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias (Uashington), renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe z. McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të z. Rama, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Kjo ngjarje e rëndë është bërë publike pas një hetimi të thelluar dy-vjecar nga zyra e FBI në Los Angeles ndaj dy zyrave të FBI në Nju Jork dhe Uashington, duke iu nënshtruar tashmë një procesi gjyqësor në gjykatat e këtyre dy shteteve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh se oligarku Oleg Deripaska duhet të ishte i sanksionuar edhe nga Shqipëria që prej 8 Prillit 2022, si vend kandidat që zbaton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotërojë biznese të licensuara drejtpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor.

Duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe

cënimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; si dhe, bazuar në Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh kërkon:

  1. Zhvillimin e një Mocioni me Debat për çështjen "Rama - McGoginal".
  2. Kërkojmë që mocioni të mos ketë limit kohor, duke i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet.

Kryetarja e Kuvendit të mbledhë menjëherë pas dorëzimit të kësaj kërkese, Konferencën e Kryetarëve, për të përfshirë në seancën më të afërt mocionin me debat për çështjen e mësipërme.

/rtsh.al/