RTSH 24 Live

Politikë

Koncesioni Milot-Fier, PD: Provohet denoncimi i opozitës, ofertues vetëm një kompani

23/11/2020

Koncesioni Milot-Fier, PD: Provohet denoncimi i opozitës, ofertues vetëm një kompani
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha sot se është provuar denoncimi i opozitës për aferën korruptive të rrugës Milot-Fier. Duke theksuar se për këtë koncesion ka vetëm një ofertues, Alibeaj  nënvizoi se projekti 1.2 miliardë euro, është i destinuar të dështojë.

Deklarata e plotë e Enkelejd Alibeajt

Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë. Rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është kompania greke Terna.
Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke.
As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë.
Me kushtet e vendosura nga qeveria në ikje, koncesioni është një masakër financiare për qytetarët. Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.
Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë.
Kur shqiptarët ishin të tmerruar nga karantina, nga virusi i panjohur, kur mbi 100 mijë prej tyre humbën vendet e punës dhe bizneset falimentuan apo u dobësuan, Edi Rama dhe Belinda Balluku planifikuan t’i vjedhin edhe më shumë. Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve.
17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari.
Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të sukses! Është një aferë që ka për të dështuar.
Partia Demokratike i ka bërë thirrje  çdo kompanie të tërhiqet nga ky projekt që vjedh qytetarët në ortakëri me Edi Ramën.
Ne e kemi bërë të qartë për çdokënd: Nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion dhe vjedhje!