RTSH 24 Live

Kronika

Komuniteti Mysliman: Vota është e shtrenjtë, nuk duhet të shitet apo blihet

15/04/2021

Komuniteti Mysliman: Vota është e shtrenjtë, nuk duhet të shitet apo blihet

Komunitetet fetare në Shqipëri i janë drejtuar qytetarëve me mesazhe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Pas Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka lëshuar një mesazh për qytetarët, ku u bën thirrje që të mos shesin votën, pasi ajo është e shtrenjtë.

"Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti. 

VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet.", thuhet në mesazhin e Komunitetin Mysliman.

Mesazhi i Komuniteti Mysliman

Qëndrimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë!

Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore.

Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proces tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, NEUTRAL, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi.

Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte.

Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti. 

VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet.

Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!

Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët!

I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë.