RTSH 24 Live

Kronika

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesat ankimore të PD-LSI në qarkun Gjirokastër

31/05/2021

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesat ankimore të PD-LSI në qarkun Gjirokastër

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar tre kërkesa ankimore për rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës, të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani.  
Përfaqesuesi i PD Ivi Kaso dhe ai i LSI Altin Kaziaj u shprehën se nuk e pranojnë këtë vendim duke e cilësuar si një vendimmarrje që nuk sjell besim. 
Më herët Kolegji Zgjedhor kishte rrëzuar edhe kërkesën e palëve për marrjen e provave shtesë ku ata mbështesnin pretendimet e tyre për qarkun e Gjirokastrës. 
Përfaqësuesi i PD Ivi Kaso ngriti para Kolegjit shqetësimin sipas tij për votimin e emigrantëve që u ndaluan të vijnë si pasojë e pandemisë.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Eridjan Salianji, i cilësoi si prova të cunguara ato të siguruara nga Partia Demokratike.
Ai tha, se nuk mund të paraqesësh prova në Kolegj, të marra nga deklarata politike, pasi janë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, e për këtë, ai kërkoi nga trupa e gjykatësve, të mos marrin parasysh provat e paraqitura nga PD.