RTSH 24 Live

Politikë

Koalicion me PD, por jo në fletën e votimit, LSI del e vetme në 9 qarqet e mëdha

24/02/2021

Koalicion me PD, por jo në fletën e votimit, LSI del e vetme në 9 qarqet e mëdha

PD dhe LSI kanë deklaruar se janë në koalicion kundër Ramës, por ndryshe do jetë në fletët e votimit. Për shkak edhe të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, dy partitë kryesore të opozitës kanë zgjedhur që të operojnë përmes një skenari që do të maksimalizojë votën e tyre. Basha me Kryemadhin kanë zgjedhur që të kandidojnë me lista të ndryshme në 9 qarqe të vendit dhe me një listë në 3 qarqe të tjera.

Si ndahen qarqet?

Konkretisht në qarqet e mëdha, siç janë Tirana, Durrësi, Elbasani,  Korça, Fieri, Lezha, Shkodra, Berati dhe Vlora,  PD dhe LSI do të garojnë secila me listën e vetë. LSI pretendon të nxjerë deputetë në këto qarqe prandaj edhe ka zgjedhur që të dalë e vetme, ndërsa sipas Abc ka edhe mbështetjen e PSD-së së Paskal Milos.

Ndërkohë, PD dhe LSI do të garojnë me një listë në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, ku LSI ka një numër të vogël votuesish. Partia e Kryemadhit ka nxjerrë deputetë edhe në Gjirokastër edhe në Dibër. Gjithsesi mësohet se LSI pritet të nxjerrë edhe një listë fiktive për këto 3 qarqe, e cila do të ketë vetëm efekt ligjor dhe elektoral, pasi fushata do të bëhet duke ftuar kuksianët, dibranët dhe gjirokastritët, që të votohet kandidati i LSI në listën e PD-së. 

PD, koalicion me 14 parti

“Aleanca për Ndryshim” është emri i koalicionit të opozitës që drejtohet nga Partia Demokratike. Ai ka në përbërje 14 parti politike, ku së fundmi iu bashkua edhe Bamir Topi. Koalicioni përbëhet nga PD, PR, PDIU, LZHK, PBDNJ, PAA, Partia Demokristiane (në pikëpyetje), FRD, PARTIA BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT, PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT, PARTIA BASHKIMI DEMOKRAT, PARTIA MENDIMI DJATHTË LIBERAL, PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT, PARTIA KRISTIAN DEMOKRATE.