RTSH 24 Live

Ekonomi

KESH do të marrë me qira një gjenerues termik të energjisë

18/01/2022

KESH do të marrë me qira një gjenerues termik të energjisë

Çmimet e energjisë në tregun e lirë kanë arritur nivele rekord të larta, të pa imagjinuara ndonjëherë për bizneset, por edhe kompanitë publike të sektorit. Në muajin nëntor të vitit të shkuar, çmimi i një kilovat/orë ishte rreth 39 lekë. Çmimet me të cilat po blihet energjia sot janë të paktën 3-4 herë më të larta se çmimet me të cilat furnizohen si bizneset në tregun e lirë edhe ato që janë në tregun e rregulluar. 

Qeveria vendosi që, deri në qershor, bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kv të furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me një çmim më të ulët sesa ai i tregut të lirë, por më i lartë gjithsesi se tregu i rregulluar. 

Por për të ruajtur financat e kompanisë publike nga çmimet e çmendura të energjisë në rajon dhe në botë, KESH synon të marrë me qira një termocentral me një kapacitet të instaluar 110-130 megavat nga një kontraktor, që do ta vendoste dhe do ta lidhë atë me rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike të vendit.

KESH pret të marrë me qira një TEC të prodhimit të energjisë termike, që mund të vendoset dhe ndërlidhet lehtësisht në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike të Shqipërisë, për një periudhë prej një deri në tre vjet në përputhje me kërkesat e prodhimit të ofruara nga KESH, duke shfrytëzuar një aset me kosto të ulët që gjendet në Shqipëri, sikundër është karburanti i lehtë dhe naftës së rëndë.

Në tetor, Shqipëria shpalli një emergjencë energjetike për shkak të mungesës së energjisë elektrike për konsum të brendshëm të shkaktuar nga kriza energjetike.

Arsyet kryesore për marrjen me qira të një TEC-i janë prodhimi i sasisë totale të energjisë elektrike të nevojshme për të përmbushur detyrimin e furnizimit publik, duke siguruar një kapacitet gjenerues rezervë për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, duke optimizuar prodhimin e energjisë elektrike nga të dy hidrocentralet dhe burime termike për të përmbushur kërkesat gjatë gjithë vitit, dhe arritjen e të ardhurave të tepërta nga transaksionet tregtare në një treg të çrregulluar. 

Nuk ka informacion për subjektet që kanë aplikuar për këtë tenderim të koorporatës.

Mbi 20 milionë euro janë shpenzuar nga Korporata Elektorenergjetik Shqiptare në 2 javët e para të muajit janar për blerjen e energjisë, sipas të dhënave zyrtare. 

Gjatë kësaj periudhe që çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia arrin në rreth 230 euro/mëh.