RTSH 24 Live

Kosova

Kërcënoi ambasadorin amerikan, gjykata në Prishtinë dënon me 10 muaj burgim të pandehurin

20/09/2021

Kërcënoi ambasadorin amerikan, gjykata në Prishtinë dënon me 10 muaj burgim të pandehurin

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 muaj burgim I.G pasi ka pranuar fajësinë se përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë, raporton Betimi në Drejtësi.

Mesazhi përmes postës elektronike ishte dërguar në qershor të këtij viti. Aktgjykimi ndaj të pandehurit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari kishte pranuar fajësinë.

“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, i ka thënë Gjykatës, i akuzuari.

Prokurori Afrim Shefkiu ka deklaruar se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është i plotë dhe në përputhje të plotë me provat materiale të bashkangjitur aktakuzës. Sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, I.G ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”. I akuzuari sipas aktakuzës kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor.