RTSH 24 Live

Kronika

Kërcënohet avokati i Emiljano Shullazit

18/01/2021

Kërcënohet avokati i Emiljano Shullazit

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe u kërcënua këtë të hënë përmes një mesazhi në telefonin e tij. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, Meçes i ka ardhur një mesazh në platformën whatsup, ku i është shkruar se duhet të heqë dorë nga çështja “Shullazi” dhe të shohë familjen e tij. Menjëherë ai ka bërë denoncimin në polici, e cila vijon hetimet për të gjetur personin që mban numrin e telefonit, përmes të cilit avokati u kërcënua.

Vladimir Meçe është avokati i Emiljano Shullazit i cili për një kohë të gjatë ishte cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i një grupi kriminal që vepronte në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Ai akuzohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”,  dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.