RTSH 24 Live

Kuzhinë

Kek me rrush të thatë dhe mollë, ëmbëlsira e shëndetshme

14/11/2020

Kek me rrush të thatë dhe mollë, ëmbëlsira e shëndetshme
Kek me rrush të thatë dhe mollë

Keku është një nga ëmbëlsirat më të thjeshta për t’u përgatitur, dhe nga më të mirat për t’u shijuar.

 

Recetat e tij janë nga më të pafundmet, pasi çdo gjë mund të kombinohet me brumin e tij të butë dhe të shkrifët.

AgroWeb.org këtë radhë ju tregon se si të bashkoni thatësinë e rrushit të thatë, mollët krokante dhe lëngun e portokallit për të krijuar një delikatesë unike.

Zbuloni hapat e recetës mëposhtë dhe shijojeni që sot me të dashurit tuaj duke e shoqëruar me pak reçel kajsie, akullore apo çokollatë të shkrirë.

Përbërësit:

3 vezë

1 filxhan çaji kos

1 e 1/2 filxhan çaj sheqer

1 filxhan kafe qumësht

1 filxhan vaj bimor

4-5 filxhan çaji miell

1 pako pluhur pjekës

100 gr rrush I thatë

lëngu i një portokalli

1 lugë çaji lëkurë portokalli

1-2 mollë

1 lugë çaji sheqer

1/2  lugë kafeje kanellë

Tepsi 26 cm

Përgatitja:

Fillimisht vendosim rrushin e thatë në lëng portokalli të zbuten. Në një tas vendosim vezët të plota, kosin, sheqerin, qumështin, vajin dhe të gjithë këto përbërës i përziejmë mirë deri sa të na formohet një masë homogjene. Shtojmë miellin pak nga pak dhe pluhurin pjekës si dhe 1 lugë çaji lëkurë portokalli, përziejmë brumin. Shtrydhim rrushin e thatë nga lëngu i portokallit dhe i vendosim në brumë dhe vazhdojmë përzierjen. Qërojmë mollën nga lëkura dhe e presim ne feta të holla. I spërkasim dhe ato me lëng portokalli dhe sheqer.

Lyejmë tepsinë me gjalpë e pudrosim me miell dhe vendosim brumin në të. Sipër brumit vendosim në formën e rrezes fetat e mollës  duke shtuar mbi to dhe disa kokrra rrush të thatë.

Në fund 1 lugë çaji sheqer dhe 1 lugë kafe kanellë i përziejmë dhe pudrosim mollën në sipërfaqe, vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 175- 180 gradë Celsius për 35-40 minuta. Në fund pasi e nxjerrim nga furra ashtu të ngrohtë mund të lyeni sipër me pak reçel kajsie./agroweb