RTSH 24 Live

Kulturë

Karnavalet e Korçës hapin sezonin turistik

12/06/2021

Karnavalet e Korçës hapin sezonin turistik

Prej disa ditësh në qytetin e serenatave kanë filluar përgatitjet për festën e Karnavaleve. Në shumë ambiente apo sheshe të qytetit ka ditë që ndjehet atmosfera e kësaj feste që kulmin e saj do ta ketë sot në mbrëmje në orën 18:30.

Festa e Karnavaleve të Korçës do të çeli zyrtarisht edhe sezonin turistik për këtë vit, ku ky qytet tashmë është shndërruar në destinacionin e preferuar të vizitorëve vendas dhe të huaj kjo për shkak dhe të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit.

Të gjitha grupet të veshura me kostume të ndryshme do të parakalojnë në një paradë të përbashkët në “Bulevardin Republika” e cila do të vijoj më pas në zonën e “Pazarit të vjetër” ku do të organizohet edhe një festë e madhe.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore, Blerta Belliu shprehet se “vitin që shkoj për shkak të pandemisë organizuam një festë minimaliste, kurse këtë vit do ti rikthehemi sërish traditës së kësaj feste simbol të qytetit të Korçës. Këtë vit gjithashtu do të kemi 26 grupe përbërës të kësaj feste. Do të kemi edhe grupe të ftuar nga jashtë qyteti si psh dy grupe nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, grupi nga qyteti i Durrësit. Por ka edhe qytetar të thjeshtë që kanë vite që i bashkohen festës tonë me maskat e tyre personale që i ruajnë prej vitesh”

Kostumet e përcaktuara për këtë festë janë të larmishme dhe këtë vit do të ketë maska dhe kostume të reja që bëhen pjesë për herë të parë.

Interesi i kësaj feste traditë të qytetit është shumë i madh pasi çdo vit është vizituar nga shumë vizitorë vendas dhe turistë të huaj.

Parada e fillimit të Karnavaleve ka filluar që në orën 10:30 të paradites së sotme për të kulmuar më festën e pasdites.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve 60 për të rinisur pas viteve ‘90.