RTSH 24 Live

Ekonomi

Karburantet, javë e qëndrueshme çmimesh megjithë luhatjet në bursë

04/12/2022

Karburantet, javë e qëndrueshme çmimesh megjithë luhatjet në bursë

Java e kaluar shënoi një ecuri të qëndrueshme të çmimeve të karburanteve në tregun vendas.  Bordi Transparencës ditën e djeshme fiksoi çmimin e nënproduktit gasoil/naftë në 209 lek për litër, ndërsa atë të shitjes me shumicë në jo më shumë se 197 lekë/litri.

Lëvizjet që ka shënuar ky nënprodukt përgjatë javës së fundit në pikat e shitjes me pakicë, ka qenë respektivisht në nivelin e 206 lekë/litri, më datë 29.11.2022 dhe 214 lekë/litri, më datë 2 Dhjetor.  

Referuar nënproduktit benzinë, çmimi i fiksuar në mbledhjen e fundit të Bordit të Transparencës ishte në  187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litri.

Vijueshmëria e çmimeve edhe për këtë nënprodukt në pikat e shitjes me pakicë ka qenë e qëndrushme ku më datë 29.11.2022, çmimi ishte në 191 lekë/litri dhe me datë 02.12.2022 në 195 lekë/litri, tregues këto që i përafrohen çmimeve të periudhës së para krizës së karburanteve.

I njëjti trend rezulton edhe me nënproduktin gaz, çmimi i të cilit në mbledhjen e fundit të bordit u fiksua në 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litri për automjetet.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ritheksohet fakti se vendimet e marra nga bordi u përmbahen me përpikmëri lëvizjeve në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve, dhe gjithashtu jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.

/rtsh.al/