RTSH 24 Live

Kronika

Kapet kokainë në portin e Durrësit, 14 pako me rreth 15 kg drogë ishin nisur nga Ekuadori

13/07/2021

Kapet kokainë në portin e Durrësit, 14 pako me rreth 15 kg drogë ishin nisur nga Ekuadori

Një tjetër sasi kokaine u sekuestrua mesditën e kësaj të marte në portin e Durrësit. Policia tha se në pranga u vunë 2 persona ndërsa në total u kapën 14 pako me kokainë, e cila ishte nisur nga Ekuadori dhe kishte mbërritur në port dy ditë më parë. Kontenieri kishte ardhur për llogari të një firme shqiptare.
Teksti: 14 pako, në të cilat dyshohet se janë 15 kilogram kokainë u sekuestruan mesditën e kësaj të marte në portin e Durrësit.
Policia e qytetit bregdetar tha, se Task Forca e Policisë dhe autoritetet doganore të Portit,  evidentuan dhe sekuestruan lëndën  narkotike të dyshuar kokainë. 
Dyshohet se sasia e lëndës narkotike ishte nisur nga Ekuadori dhe se dy ditë më parë kontenieri kishte mbërritur në portin shqiptar.
Policia deri tani ka shoqëruar dy persona ndërsa operacioni u krye në bazë të dyshimeve të krijuara dhe informacioneve që dispononte Policia.
Kontenieri i ngarkuar me banane kishte mbërritur në port për llogari të një firme në  Shqipëri ndërsa kokaina ishte fshehur në pjesën e bazamentit të kontenierit.
Më 10 prill, një tjetër sasi e madhe kokaine u kap po në këtë port dhe po në të njëjtën mënyrë, në një kontenrier i cili erdhi në Shqipëri i mbushur me banane, ku u kapën 143 kg kokainë e në pranga u vunë 2 pronarët e kompanisë, për të cilën erdhi ngarkesa.