RTSH 24 Live

Kronika

Kapen 33.5 kg kokainë në një kontejner me banane në Portin e Durrësit, vinte nga Ekuadori! Shoqërohen 8 persona

03/11/2022

Kapen 33.5 kg kokainë në një kontejner me banane në Portin e Durrësit, vinte nga Ekuadori! Shoqërohen 8 persona

33.5 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Portin e Durrësit, mbrëmjen e kësaj të enjte, ndërsa janë shoqëruar 8 persona. Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se lënda narkotike u gjet në një kontejner me banane që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë.

Nga kontrolli në skaner, në kontejner nuk ishte konstatuar asnjë ngarkesë tjetër përveç arkave me banane, ndërsa kokaina, e mbështjellë në 31 pako, u pas kontrollit me qen antidrogë.

Policia ka shoqëruar në komisariat dhe po merr në pyetje 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sekuestrohen 31 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë. Shoqërohen në DVP Durrës, 8 persona.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në Portin e Durrësit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të drogave të forta, bazuar dhe në inteligjencën informative, strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionin policor të administruar nga Policia shqiptare, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një kontenier të ngarkuar me banane, që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë, duke qenë se nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër përveç arkave me banane.

Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, shërbimet e Policisë konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako, të mbushura me lënd të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë. Në vijim të operacionit janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale, 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Operacioni vijon

/rtsh.al/