RTSH 24 Live

Botë

Kanadaja shqyrton rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën mes tensioneve në rritje

26/11/2021

Kanadaja shqyrton rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën mes tensioneve në rritje

Kanadaja po shqyrton forcimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën mes tensioneve në rritje në lidhje me grumbullimin e trupave ushtarake të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën, njoftuan të enjten mediat kanadeze.

Ministrja e Mbrojtjes, Anita Anand po mendon të vendosë qindra trupa shtesë për të mbështetur rreth 200 ushtarët kanadezë tashmë në Ukrainë në një mision stërvitor, sipas "Globe and Mail".

E përditshmja tha se opsionet e tjera që po shqyrtohen përfshijnë lëvizjen e një luftanijeje në Detin e Zi ose rivendosjen e avionëve luftarakë CF-18 me bazë në Rumani.

Duke pohuar se çdo përforcim ka për qëllim të dërgojë një mesazh për Kremlinin, e përditshmja, megjithatë, nënvizoi se asnjë vendim nuk është marrë pavarësisht lutjeve nga delegacioni ukrainas që Kanadaja dhe NATO të bëjnë më shumë në Forumin e fundit të Sigurisë në Halifax.

Sipas OKB-së, luftimet midis forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë që nga viti 2014 në Donbas kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 13 mijë njerëzve, prej të cilëve një e katërta civilë dhe deri në 30 mijë të plagosur.

Raportet e mediave në javët e fundit thanë se zyrtarët amerikanë shprehën shqetësimet e tyre Evropës në lidhje me përgatitjet e mundshme ruse për një pushtim në Ukrainë.

Në pranverën e këtij viti, vendet perëndimore u alarmuan për grumbullimin e forcave ushtarake pranë Donbasit përpara se Rusia të tërhiqte trupat e saj.

Tensionet rreth synimeve ruse në Ukrainë u shkaktuan nga përvoja e aneksimit rus të gadishullit të Krimesë në vitin 2014.

Forcat ruse hynë në gadishull në shkurt të 2014 ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ndau zyrtarisht rajonin në dy subjekte të veçanta federale të Federatës Ruse muajin e ardhshëm./AA