RTSH 24 Live

Aktualitet

Kallëzoi Ramën për çështjen e McGonical, SPAK kërkesë Bardhit: Na dërgo dokumentet që ke përmendur

31/01/2023

Kallëzoi Ramën për çështjen e McGonical, SPAK kërkesë Bardhit: Na dërgo dokumentet që ke përmendur

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka dërguar një kërkesë deputetit demokrat, Gazment Bardhi, në lidhje me kallëzimin e bërë për kryeministrin Edi Rama për çështjen “McGonical”, që t’i vërë në dispozicion materialet fillestare të drejtësisë amerikane, të cilat ai i ka përmendur në kallëzim.

SPAK kërkon akt-padinë e Prokurorisë së Kolumbias, të cilën Bardhi, sipas Prokurorisë së Posaçme, ishte shprehur se dokumenti ishte bashkëlidhur kallzimit, por në fakt rezultonte se nuk ishte.

“Në kallëzimin tuaj penal të numërtuar me nr.6 prot datë 24.01.2023 keni cituar në përmbajtje dokkumentin “akt-padia e Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Kolumbias, datë 15.09.2022” duke u shprehur se ky dokument është bashkëlidhur kallzimit. Ndërkohë që në rrethanat faktike ky dokument nuk gjendet i bashkëlidhur me kallzimin tuaj të dërguar në zarfin që mban shënimin “GR. Pal. PD Nr.9 Prot.24.01.2023”. Përsa më sipër, ju kërkojmë të na informoni nëse dokumenti “akt-padia e Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Kolumbias, datë 15.09.2022” disponohet nga ana juaj dhe nëse po, të dërgohet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e SPAK.

Bardhi ka kallëzuar në SPAK më 24 janar kryeministrin Edi Rama, ku e akuzon se ka paguar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.  Kallëzimi i Bardhit erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal në Nju Jork për akuzat se ndihmoi një oligark rus të sanksionuar nga SHBA. McGonigal akuzohet gjithashtu se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

/rtsh.al/