RTSH 24 Live

Sociale

Kalaja e Libohovës, ish-përgjegjësi i Kulturës: Ende larg destinacionit turistik. Të rijetëzohet

20/11/2023

Kalaja e Libohovës, ish-përgjegjësi i Kulturës: Ende larg destinacionit turistik. Të rijetëzohet

E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitet 1796-1798, si një dhuratë për motrën e tij Shanishanë, Kalaja e Libohovës ose e njohur ndryshe si Kalaja e Shanishasë është një monument kulture i kategorisë së parë në Bashkinë e Libohovës. 

Edhe pse kjo kala është simboli i këtij qyteti, duket se nuk e ka vëmendjen e duhur nga institucionet përkatëse. Ish- përgjegjësi i kulturës në këtë bashki dhe një intelektual i qytetit z. Besnik Ismailati shprehet se kjo kala duhet të rijetëzohet duke i dhënë asaj një tjetër rëndësi.

“Të ndërgjegjshëm për potencialin që ky monument kulture të kthehet në një atraksion i mirëfilltë turistik, në bashki na thonë se në kala ka nevojë për investime..nuk është në gjallëri”, shprehet ai.

Për vetë historinë që kjo kala mbart mbi vete që nga mënyra e ndërtimit të saj ku thuhet se gurët për ndërtimin e saj janë transportuar nga banorët dorë më dorë nga dropulli.

Është e nevojshme shton ai që turistët që e vizitojnë atë të njihen me historinë e saj, pasi ajo është pjesë e identitetit të këtij qyteti.

Ekzistojnë ende foto të bëra nga pikturat e sarajeve ku jetonte Shanishaja, të cilat kanë ekzistuar deri në vitet 50 për tu shkatërruar përfundimisht në fund të këtyre viteve nga regjimi komunist, që sipas eruditit Mojkon Zeqo, prishja e sarajeve qe një tragjedi.

Kalaja e Libohovës është një monument i trashëgimisë kulturore dhe  ka një pozicion dominues që kontrollon rrethinat e qytetit, si dhe gjithë luginën e Drinos, malet dhe fushat që shtrihen në jug dhe perëndim të saj. Ky pozicionim përcakton rolin strategjik që kjo ka kala ka patur si për kontrollin e linjave të komunikimit, ashtu edhe për sigurimin e lëvizshmërisë së banoreve në rrugën që lidhte Janinën me Gjirokastrën.

/RTSH/