RTSH 24 Live

Teknologji

Jo vetëm në filma fantastiko-shkencorë: Makinat fluturuese janë (thuajse) gati!

23/01/2021

Jo vetëm në filma fantastiko-shkencorë: Makinat fluturuese janë (thuajse) gati!

Makinat fluturuese mund të duken si një ëndërr e largët shkencore, por Japonia po financon projekte për të komercializuar mënyrën e transportit deri në vitin 2023.

Kompania me bazë në Tokio, SkyDrive Inc. është duke punuar në zhvillimin e makinave elektrike fluturuese që mund të ngrihen dhe të ulen pa probleme dhe CEO i kompanisë, Tomohiro Fukuzawa, beson se deri në vitin 2050 njerëzit (në masë) do të jenë në gjendje të fluturojnë në çdo rreth brenda 10 minutash.

Kjo mund të tingëllojë ambicioze, por pason vrullin në rritje rreth teknologjisë, si dhe mbështetjen e qeverisë japoneze. Analistët në Morgan Stanley shohin një potencial të madh në teknologjinë e makinave fluturuese dhe ata parashikojnë që sektori i makinave fluturuese mund të jetë me vlerë 1.5 trilion dollarë deri në 2040-ën. “Këto makina mund të shndërrohen më vonë në një metodë me kosto-efektive, me kohë më të efektshme për të udhëtuar në distanca të shkurtra”, shprehen analistët kryesorë të Stanley. Kompanitë si SkyDrive janë në krye të këtij tregu në rritje, me planet për të krijuar një shërbim taksi në Osaka dhe Tokyo në tre vitet e ardhshme.

Kompania ka zhvilluar një koncept elektrik fluturues të quajtur SD-XX, 1.5 metra i gjatë dhe 4 metra me 3.5 metra i gjerë. Ky automjet do të jetë në gjendje të arrijë shpejtësi prej 62 milje në orë dhe të udhëtojë rreth 70 kilometra. Qeveria japoneze po mbështet këto shpikje, pasi i sheh makinat fluturuese si një mënyrë ideale për të ulur mbingarkesën dhe për të lejuar njerëzit të udhëtojnë shpejt brenda një qyteti deri në vitin 2023.

CEO i SkyDrive Tomohiro Fukuzawa foli për Japan Times në lidhje me sfidat me të cilat përballet kompania: “Dy vështirësitë më të mëdha janë marrja e certifikimit për fluturime tregtare dhe sigurimi i të njëjtës siguri dhe besueshmëri si avionët ekzistues - dhe ndryshimi i klimës sociale, duke njoftuar publikun e gjerë për këtë lëvizje ajrore dhe duke i bërë ata të dëshirojnë të ngasin një makinë fluturuese.”  Sidoqoftë, ai mbetet pozitiv për të ardhmen.