RTSH 24 Live

Kulturë

Javët e Kulturës nisin me Francën, Rama: Krijojmë ura bashkëpunimi, nisma do kthehet në traditë

25/04/2022

Javët e Kulturës nisin me Francën, Rama: Krijojmë ura bashkëpunimi, nisma do kthehet në traditë

Javët e Kulturës Ndërkombëtare 2022 u çel sot për herë të parë në Sheshin Skënderbej, në kuadrin e nismës më të re të qeverisë  shqiptare “Shqipëria mikpret botën”, ku Franca është e para që sjell në tokën shqiptare mozaikun e pasur të kulturës plot elegancë, shije dhe unike të këtij vendi. Ceremoninë e ndoqi edhe kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten e tij Linda Rama, i cili gjatë fjalë së tij tha se ky është fillimi i një hapësire të re kulture ndërveprimi dhe dialogu për të krijuar sa më shumë bashkëpunime me kulturat e tjera.

Teksa e cilësoi si një program që do u japë mundësinë të gjitha moshave, Rama tha se kjo është edhe një urë bashkëpunimi për artistët dhe qytetarët për të lidhur marrëveshjet e tyre. Rama u shpreh se çdo javë do të jetë kultura e një vendi që do të prezantohet, deri në fund të qershorit, për të rinisur sërish në muajin shtator me kulturat e tjera të botës.

“Është një program i cili do tu japë mundësinë qytetarëve tanë, do tu japë mundësinë të gjithëve pavarësisht nga mosha, që nga fëmijët, të rejat, të rinjtë e deri tek gjyshërit dhe gjyshet që të mund të shijojnë aktivitete të natyrave nga më të ndryshmet në një mozaik të larmishëm vendesh, traditash dhe eksperiencash e natyrisht në këtë program ka një rëndësi jashtëzakonisht të veçantë krijimi i sa më shumë urave. Sa më shumë urave të njohjes, sa më shumë urave të eksperiencave nga më të ndryshmet, sa më shumë urave të bashkëpunimit sepse qëllimi nuk është thjesht që të konsumojmë aktivitete të cilat fillojnë dhe mbarojnë por që të krijojmë mundësi dhe të krijojmë shanse për krijuesit tanë, për aktivistët tanë social, për njerëzit tanë në të gjithë ato fusha që prek ky program, që pastaj të vazhdojnë me bashkëpunimet e tyre. Programi fillon me një sërë vendesh deri në fund të qershorit pastaj ndalet për dy muaj dhe rifillon në shtator për tu shtrirë më tutje edhe me vende të tjera në vitin e ardhshëm”, tha Rama.

Franca nisi ciklin e parë të javëve ndërkombëtare të kulturës në vendin tonë, ku kryeministri Edi Rama tha se koinçidon me rikonfirmimin e Macron si president i Francës.

“Franca është ajo që e hap këtë program, një koincidencë e bukur bën që sot ne të gjithë të jemi këtu pas një dit ë shënuar në historinë bashkëkohore të Francës me rikonfirmimin e presidentit Emmanuel Macron i cili është në të njëjtën kohë jo vetëm presidenti i Francës por dhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë arkitekturës së bashkimit Europian e për këtë arsye sot ne jemi të gëzuar e të lehtësuar nga rezultati i djeshëm në Francë i cili natyrisht është një garanci dhe për perspektivën europiane të të gjithë rajonit tonë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë”, tha Rama.

Të pranishëm në ceremoninë e nisjes së Javëve Kulturore, ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. Javët Ndërkombëtare të Kulturës, do të vijojnë çdo ditë me aktivitete që do të prezantojnë kulturën dhe traditat e 17 shteteve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Berat e Durrës. 

/rtsh.al/