RTSH 24 Live

Europë

Italia lehtëson masat më 17 maj, Greqia hap kufirin me Maqedoninë e Veriut pas 14 muajsh mbyllje

15/05/2021

Italia lehtëson masat më 17 maj, Greqia hap kufirin me Maqedoninë e Veriut pas 14 muajsh mbyllje

Italia po shënon rënie të numërit të infektimeve të Covid-19 dhe tani së shpejti do të jetë e gjitha një zonë e verdhë, përveç Valle d’Aosta që mbetet portokalli. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha se do të nënshkruajë një urdhëresë të re, që do të hyjë në fuqi nga 17 maji.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Itali u regjistruan 7.567 raste pozitive COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 182 viktima. “Në të gjitha vendet, kurbat janë ose të qëndrueshme, ose po ulen dalëngadalë dhe gjithashtu edhe në Itali kurba po tregon një rënie progresive”, deklaroi presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë (ISS), Silvio Brusaferro, në konferencën për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkohë pas një mbylljeje prej 14 muajsh, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Greqia vendosi të hapë kufirin për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.  Vendkalimi kufitar Bogorodicë-Evzoni u hap me vendim të Qeverisë greke. Por, për të kaluar në territorin grek, shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të paraqesin një vërtetim se janë vaksinuar kundër COVID-19, se e kanë kaluar sëmundjen ose të kenë test negativ PCR, jo më shumë se 72 orë.  Greqia bëri të ditur se i njeh të gjitha vaksinat kundër COVID-19, përfshirë ato kineze dhe ruse, të cilat nuk janë miratuar ende nga Bashkimi Evropian.