RTSH 24 Live

Aktualitet

Italia, grant 31 milionë euro, Peleshi: Rrisim kapacitetet e Emergjencave Civile

19/01/2022

Italia, grant 31 milionë euro, Peleshi: Rrisim kapacitetet e Emergjencave Civile

Fuqizimi i sistemit të Mbrojtjes Civile është një nga prioritetet, për të cilin Ministria e Mbrojtjes po punon prej muajsh.

Kjo ishte një nga çështjet që mori vëmendje në takimet që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi në vijim të vizitës së tij në Itali. Peleshi u prit në takime të veçanta nga shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio dhe nga komandanti i Komandës së Bashkuar Operacionale, gjenerali Francesco Paolo Figliuolo.

Ministri Peleshi, teksa njohu drejtuesit e strukturave të Mbrojtjes Civile italiane me synimet e Ministrisë së Mbrojtjes për të rritur kapacitetet në fushën e emergjencave civile, shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Italisë, e cila i ka dhënë Shqipërisë një grant prej 31 milionë eurosh.

Projekti parashikon ndërtimin dhe përgatitjen e sallës operacionale të mbrojtjes civile, trajnimin e stafit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, rritjen e kapaciteteve për planifikimin e emergjencave dhe parashikimin e rrezikut, pajisjet për sallat e Operacionale në 4 qendrat e AKMC-së dhe 8 prefektura, si dhe pajisjen me mjete sipas standardeve të kohës.

Gjatë diskutimit mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e emergjencave civile si dhe bashkëpunimin e deritanishëm, ministri Peleshi falënderoi Italinë dhe në veçanti Departamentin italian të Emergjencave Civile, për mbështetjen e dhënë në rastin e tërmetit tragjik të vitit 2019 si dhe gjatë pandemisë së COVID-19.