RTSH 24 Live

Televizion

Italia fiton Eurovision Song Contest 2021

22/05/2021

Italia fiton Eurovision Song Contest 2021

Grupi italian i rokut Mankeskin është fitues i Eurovision Song Contest 2021 me këngën "Zitti e buoni". Në përfundim të votimit ai mori 524 pikë. "Rock and roll nuk vdes kurrë" tha i entuziazmuar solisti i grupit Damiano David.

Në vendin e dytë u rendit Franca dhe më pas Zvicra. Maneskin e ktheu Eurovisionin në Itali pas 31 vitesh. Ata ata janë artistët e tretë italianë që fitojnë konkursin evropian pas Gigliola Cinquettit në 1964 dhe Toto Cutugnos në 1990. 

Ndërsa Shqipëria me kengën “Karma”, me poezi nga Olti Curri, muzikë të Kleidi Bahiti, kënduar nga Anxhela Peristeri, u rendit në vend të 21 me 57 pikë, ku 22 i mori nga juritë e vendeve pjesëmarrëse dhe 35 pikë nga votat e publikut. 

E veshur nga stilistet nga Kosova, Kujtua dhe Meri, me imazhin skenik të kujdesuar nga suedezi, Sasha Zhan Baptiste, Anxhela jonë lëshoi shpërthyese britmat e asaj drame që çon në rrënim njeriun që nuk del dot nga egoja e tij. Që ndryshe quhet Karma, të marrësh mbrapsht atë çfarë ke bërë në jetë.   
 
Një tjetër shqiptar, Gjon Muharremaj, nën grupin Gjon Tears përfaqësoi Zvicrën si kantautor i këngës në frëngjisht, “Tous l’univers”, “Gjithe Universi” duke fituar çmimin për kompozimin më të mire, e duke u renditur në vend të parë prej jurive profesioniste me 267 pikë dhe zuri vendin e trete me 432 pike pas votive te publikut. 

Në natën finale ku Shqipëria e ka bërë gati të përhershme të arrijë të kualifikohet morën pjesë 26 vende finaliste nga 39 vendet pjesëmarrëse gjithsej. Finaliste ishin edhe: Qipro, Izraeli, Belgjika, Rusia, Malta, Portugalia, Serbia, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Zvicra, Islanda, Spanja, Moldavia, Gjermania, Finlanda, Bullgaria, Lituania, Ukraina, Franca, Azerbajxhani, Norvegjia, Hollanda, Italia, Suedia, San Marino.   

Ndërsa dy anëtarë të grupit përfaqësues të Islandës në Eurovizion për shkak se rezultuan pozitivë me Covid 19 u karantinuan dhe në skenë u transmetua prova e tyre gjenerale. 

Europa tregoi se po e sfidon pandeminë, duke realizuar e përmbyllur me sukses Eurovizion Song Contest 2021 që u zhvillua në datat 18, 20 dhe 22 maj në Roterdam të Holandës, në prani të një publiku entuziast shumëkombësh. Duke shpërfaqur një shkollë të vërtetë konceptesh të reja, mesazhesh shoqërore pararojë, teknika muzikore, stile veshjesh, skenografi dhe efekte që nga viti në vit bëhen orientuese për muzikën dhe këngëtarët e festivalet e vendeve pjesëmarrëse. Festa popullore që në mënyrë të papërmbajtshme edhe këtë vit ia doli të japë gëzimin e muzikës, të festës së saj, të të qenit bashkë, të japë gëzimin e jetës me gjithë plotësinë e saj…

RTSH i transmetoi të gjitha netët e Eurovision Song Contest 2021 në disa kanale të paketës së tij në radio dhe televizion.